Motilokal.com me kampanjë 'Ta ruajmë natyrën tonë'

Motilokal.com me kampanjë 'Ta ruajmë natyrën tonë'

Mjedisi është një pasuri e përbashkët, e cila i përket gjithsecilit që të kujdeset për ruajtjen e natyrës. Edukimi mjedisor është një faktor tejet i rëndësishëm për ta mbrojtur këtë pasuri të çmuar që na ofron natyra.

Mjedisi është shtëpia jonë, të cilën duhet ta mbajmë të pastër, ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga çdo kërcënim, qoftë edhe nga vetja jonë. Këtë kulturë ne duhet ta përcjellim brez pas brezi, sepse në të ardhmen mjedisi do të jetë në duart e tyre dhe ata duhet të mësojnë si ta trajtojnë atë.

Me ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, dëmtohen e gradualisht shkatërrohen ekosistemet dhe habitatet natyrore të kafshëve dhe bimëve. Dëmtimi i florës dhe faunës, njëkohësisht sjell përkeqësimin e gjendjes së mjedisit dhe cilësisë së jetës.

Duke e parë rëndësinë që ka natyra, media online Motilokal.com ka nisur një kampanjë vetëdijesimi për ruajtjen e natyrës tonë.

Kjo kampanjë vije si rezultat i suksesit të Motilokal.com, duke u bërë lider si më i vizituari në Europë në gjuhën shqipe me mbi 1.3 milion vizita mujore për parashikimin e motit. Po ashtu, me shkrimet për ndryshimet klimatike, ambientin, të rejat shkencore, shëndetësinë, reportazhet për bukuritë shqiptare dhe të jetës së egër ka arritur të depërtojë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Ky aksion përkon edhe me afrimin e ditës botërore të Mjedisit e cila është zyrtarisht me 5 qershor.

Mjedisi është i të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojnë atë. Motilokal.com do të vazhdojë me kampanja të tilla gjatë tërë kohës me shkrime, fotoreportazhe të bukurive natyrore të trojeve shqiptare./Motilokal.com