
Një kala me vlera të rëndësishme historike e arkitektonike, një trashëgimi e rrallë e kulturës së vendit tonë, Kalaja e Borshit ju jep edhe rastin të shijoni bukurinë e peizazhit të Borshit nga lart.
Borshi, i cili është vetëm 17 kilometra larg Himarës, ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit. I rrethuar me ullishte që pozicionohen natyrshëm me blunë e kristaltë të detit, Borshi është një vend që të nxit ta vizitosh jo vetëm për peizazhin, por dhe për historinë që shfaqet hijshëm në çdo cep të tij.
Në këtë vend gjendet xhamia e vetme në Rivierën Shqiptare, e cila periudhën më të artë të zhvillimit kjo kala e pati në kohën e Ali Pashë Tepelenës, ku në të u ndërtua edhe xhamia nga Haxhi Bendo, e vetmja në Rivierën Shqiptare.
E vendosur pranë hyrjes kryesore të kalasë, xhamia është në gjendje të mirë, pavarësisht se minarja është rrëzuar. Kjo xhami, e cila rri hijshëm mbi kreshtën e malit, është e tipit sallë kupolë, ka përmasa jo të vogla e dallohet për ndërtimin me gurë të punuar.
Bashkia e Himarës ka publikuar disa fotografi të Kalasë së Borshit, ku i fton të gjithë turistët si vendas dhe të huaj që të vizitojnë një nga perlat e shumta të turizmit që është një kompozim i detit, natyrës dhe traditës.
“Nëse keni vendosur të vizitoni jugun e Shqipërisë do të gjeni në Borsh një kompozim perfekt të historisë, natyrës së paprekur dhe legjendave”, thuhet në ftesën e bashkisë së Himarës.
“I parë nga pika më e lartë e kalasë, Borshi tregon bashkëjetesën e qetë mes valëve që përqafojnë bregun e detit dhe malet përreth. Kalaja me vlera të rëndësishme historike dhe arkitektonike ndërthurur me blunë e kristaltë të detit, tashmë me rrugën e sapo asfaltuar do të tërheqë edhe më shumë vizitorë shqiptarë e të huaj. Projekti "Rikonstruksioni i rrugës Borsh - Kala e Borshit" me financim nga Qeveria Shqiptare ka ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm dhe nxit zhvillimin e biznesit”, shprehet bashkia e Himarës./Motilokal.com