Firmoset marrëveshja Itali-SHBA për eksplorimin e Hënës

Firmoset marrëveshja Itali-SHBA për eksplorimin e Hënës

Marrëveshja midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara është firmosur për programin “Artemis” për eksplorimin e Hënës. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Palazzo Chigi nga nënsekretari i Kryeministrit për politika hapësinore, Riccardo Fraccaro dhe administratori kryesor i NASA-s, Jim Bridenstine.

Italia është vendi i parë evropian që nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për kërkimin hënor me Shtetet e Bashkuara.

"Italia ka nënshkruar një marrëveshje historike me Shtetet e Bashkuara, duke vendosur bashkëpunim në rrugën e eksplorimit të hapësirës që do ta kthejë njeriun në Hënë dhe, në të ardhmen, gjithashtu në Mars. Për ne është një nder i madh, si dhe një mundësi e shkëlqyeshme, për të qenë vendi i parë i BE-së që nënshkruan këtë marrëveshje që do të na japë mundësinë të marrim pjesë në misionin hënor dhe të kemi një rol udhëheqës në programin më ambicioz të aktivitetit hapësinor të zbatuar ndonjëherë", tha Fraccaro.

"Nënshkrimi i marrëveshjes kontribuon për të shkruar një faqe të re në historinë e eksplorimit të hapësirës”, tha ai.

“Kjo marrëveshje do të lejojë që vendi ynë të shprehë potencialin e tij të plotë në aspektin shkencor dhe industrial duke marrë pjesë në një mision me qëllime jashtëzakonisht ambicioze që shkojnë përtej uljes në hënë, të planifikuar për në vitin 2024", theksoi Fraccaro./Motilokal.com