Ujësjellësi i Prishtinës apel qytetarëve: Mos hidhni mbeturina në rrjetin e kanalizimit

Ujësjellësi i Prishtinës apel qytetarëve: Mos hidhni mbeturina në rrjetin e kanalizimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina (KRUP), përmes një njoftimi ka apeluar qytetarët të mos hedhin gjësende të ngurta, mbeturina, gjëra ushqimore të mbetura jashtë përdorimit, në rrjetin e kanalizimit.

KRUP bën të ditur se në muajin e kaluar është intervenuar në rreth 400 raste, zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza, pastrim i pusetave dhe vendosje të kapakëve të pusetave në tërë zonën e shërbimit.

"Lusim qytetarët të kenë kujdes dhe mos të hedhin gjësende të ngurta, mbeturina, gjëra ushqimore të mbetura jashtë përdorimit, të cilat janë të papërballueshme për një sistem të kanalizimit i cili nuk është i dedikuar  për gjëra të panevojshme, ngase po e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit duke krijuar vështirësi për punëtorët tanë në zhbllokimin e tyre", thekson KRUP.

Sipas KRUP rastet e tilla zhbllokohen çdoherë nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, por mbeturinat e llojeve të ndryshme (përzierja e yndyrave dhe mbetjeve të tjera të lëngëta e edhe të ngurta) po shkaktojnë shqetësime në shëndetin e tyre. /Motilokal.com