Komuna e Prishtinës përmes një komunikate njofton të qytetarët se ekipet përkatëse të Shërbimeve Publike dhe ato kujdestare të Inspeksionit janë në gjendje gatishmërie në ndonjë rast emergjence.
“Krahas gatishmërisë për ofrimin e ndihmës për bashkëkombësit tanë në Shqipëri, ka aktivizuar edhe ekipet e veta emergjente për monitorim të gjendjes në Kryeqytet. Ekipet përkatëse të Shërbimeve Publike dhe ato kujdestare të Inspekcionit janë në gjendje gatishmërie në rast të ndonjë emergjence”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Gjithashtu, Komuna ka kërkuar nga zjarrfikësit, kompanitë komunale dhe rajonale, si dhe ato të kontraktuara, të mirëmbajtjes së rrugëve, që me të gjitha kapacitetet njerëzore dhe makineritë e tyre të jenë të gatshme për ndihmë në rast nevoje.
“Këto masa po ndërmerren me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë dhe shpejtësisë së reagimit, në rast se ballafaqohemi me situata të emergjente. Prandaj, kërkojmë nga qytetarët që ta ruajnë qetësinë”, theksohet një njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se komuna e ka aktiv sistemin e alarmimit publik, dhe ai do përdoret në rast nevoje.
Në fund Komuna e Prishtinës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e atyre që humbën jetën, si dhe për popullin e Shqipërisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit. /Motilokal.com