Turqia vendos 1.100 stacione për monitorimin e tërmeteve

Turqia vendos 1.100 stacione për monitorimin e tërmeteve

Turqia tani ka rreth 1.100 stacione për monitorimin e tërmeteve për të ndihmuar në parashikimin e dridhjeve dhe mbrojtjen e sigurisë publike në gjithë vendin, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

"Me rrjetin e dytë më të madh të vëzhgimit të tërmeteve në Evropë, ne mund të masim tërmetet më saktë", shtoi agjencia, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Turqisë.

Turqia është ndër vendet më sizmike aktive në botë pasi ndodhet në disa linja aktive ku ndodhin dhjetëra tërmete të vogla çdo ditë.

Pllaka e Anadollit, ku ndodhet Turqia, shtyhet çdo vit drejt perëndimit me 2 deri në 2,5 cm, duke u ngjeshur mes pllakës euroaziatike në veri dhe asaj arabike në jug, dhe shumica e tërmeteve madhore në Turqi kanë ndodhur pikërisht në lindje të saj.

Më shumë se 17,000 njerëz humbën jetën dhe mbi 43,000 u lënduan kur një tërmet me madhësi 7.4 tronditi rajonin Marmara për 37 sekonda në orët e para të 17 gushtit 1999, me epiqendrën e tij të vendosur në provincën Gölcük, rreth 75 kilometra në juglindje të Bosforit. Tre muaj më vonë, më 12 nëntor 1999, 845 njerëz vdiqën dhe gati 5,000 u lënduan kur një tërmet me madhësi 7.0 goditi provincën Düzce, rreth 120 kilometra në veri-perëndim të Gölcük.

Në shtator, një tërmet me madhësi 5.8 në Detin Marmara tronditi Stambollin duke shkaktuar panik në të gjithë qytetin, ku u lënduan 34 persona dhe u dëmtuan 473 ndërtesa. /Motilokal.com