Përmbyllet kampanja ‘Ruje mos e Gjuj’ duke u ricikluar mbi 40 ton plastikë

Përmbyllet kampanja ‘Ruje mos e Gjuj’ duke u ricikluar mbi 40 ton plastikë

Green Art Center-Prishtina (GAC) në kuadër të kampanjës “ Ruje mos e Gjuj”, kampanjë kjo që u financua prej Coca Cola HBC dhe u implementua në partneritet me MMPH, komunën e Vushtrisë dhe disa institucione publike dhe private në Kosovë, shihet të jetë treguar e suksesshme duke raportuar se janë mbledhur mbi 40 tonë mbeturinë e riciklueshme (plastikë dhe alumin) gjatë kësaj periudhe 9 mujore të implementimit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme vetëm në disa institucione universitare private në Prishtinë dhe në 500 amvisëri në Vushtrri.

Zyrtarët e GAC, raportojnë se kjo kampanjë është mirëpritur prej qytetarëve në zonat dhe institucionet ku është zhvilluar dhe gatishmëria e tyre për të ndarë mbeturinat e riciklueshme në burim e tregon suksesin e saj.

Koordinatorja e projektit, Qazimi tregon se në kuadër të aktiviteteve janë zhvilluar sesione informative për rëndësinë e riciklimit, trajnime me studentë nëpër 5 institucionet publike dhe private që kanë qenë pjesë e projektit, takime derë më derë me 2500 qytetarë me qëllim që të ngrihet vetëdija e tyre për rëndësinë e riciklimit si koncept dhe të niset të zhvillohet në praktikë.

Gjithashtu, ajo tregon se pas përgatitjes së planit të detajuar të operimit për grumbullim të veçantë, në vazhdimësi është monitoruar prej së afërmi mbarëvajtja e procesit të grumbullimit si një nga faktorët kryesorë në jetësimin e sistemit për riciklim ne nivel vendi.

Këtë projekt e mirëpriti Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, projekt ky që ndihmoi në plotësimin e sistemit përmes zgjerimit të zonës së pilotimit për ndarje në burim në një nga lagjet më të mëdha të kësaj komune, duke u bashkërenduar edhe me projektet aktuale që komuna e Vushtrrisë është dukë implementuar në këtë sector për nisjen e riciklimit si praktikë në nivel komunal.

Kësisoj, prej të dhënave të raportuara prej GAC dhe kompanive për grumbullim të mbeturinave të riciklueshme, përkundër faktit se sistemi i ndarjes në burim po përballet me sfida në vetëdijesim kryesisht në institucionet universitare ku shpeshherë mbeturinat po përzihen, në pjesën tjetër të akterëve që ishin pjesë e këtij projekti ndarja e mbeturinës së riciklueshme vazhdon të jetë e kënaqshme prej anës së qytetarëve.

Kampanja “Ruje mos e Gjuj” iu bashkëngjit aktiviteteve të Green Art Center(GAC), duke I kontribuar projekteve që GAC impelementon në shtrirjen e skemës së riciklimit të mbeturinave në komunitet dhe ku shihet si domosdoshmëri që prodhuesit e ambalazheve të marrin përgjegjësinë e tyre për ndotjen në mjedis që shkaktojnë prej mbetjeve të ambalazhimit. /Motilokal.com