
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi dhe votoi sot nen për nen projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshuar”.
Relatori i këtij projektligji Arben Pëllumbi tha se draftprojektligji që paraqesim sot reflekton ndryshimet e paraqitura nga qeveria, komisioni i Ligjeve dhe sugjerimet nga grupet e interesit për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe prodhimit të qeseve njëpërdorimshe.
Të ftuar për këtë diskutim, ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro, z. Athanas Karaj drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Derregullimit dhe Përputhshmërisë, në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe z. Elvis Tosuni këshilltar i Ministres.
Në këtë takim ministrja Kumbaro u shpreh se periudha e parashikuar për hyrjen në funksion të këtij ligji, është periudhë e parashikuar jo vetëm për komunikimin dhe për fushatën e komunikimit të kësaj ndërhyrjeje ligjore dhe të efekteve që ajo do të ketë, por është parashikuar gjithashtu edhe për të ndërtuar të gjitha marrëdhëniet institucionale dhe bashkëpunimi me Drejtorinë e Doganave, me Inspektoratin Qendror, si edhe për të ndarë informacionin me prodhuesit që kur të hyjë ligji në zbatim, të jenë të gjithë të përgatitur.
Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, ky projektligj u miratua nen për nen me ndryshimet e propozuara në nene të caktuara të tij, si edhe u miratua në tërësi nga anëtarët e komisionit.
Sipas këtij projektligji nga 1 qershori 2022 do të ndalohet prodhimi, përdorimi dhe importimi i qeseve plastike njëpërdorimshe.
Çdo person që hedh në treg, prodhon apo importon në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qeseve të lehta plastike mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas nenit 29 të ligjit dënohet me gjobë nga 1 milion deri në 1.5 milionë lekë./Motilokal.com