
Ditët e fundit qytetarët në bregdetin e Shëngjinit dhe Vlorës kanë parë një fenomen të pazakontë dhe të rrallë të tërheqjes së detit.
Në bregdetin e Shëngjinit ky fenomen ka qenë më i dukshëm ku është raportuar se deti është tërhequr me rreth 20 metra.
Profesor Osman Metalla, Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe profesor në Departamentin e Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, përmes një postim në Facebook, ka shpjeguar fenomenin që ka ndodh në bregdetin shqiptar.
Lexo: Studim: Graviteti i Diellit dhe Hënës ndikon në botën e gjallë më shumë sesa mendohej më parë
Ai ka thënë se kam dëgjuar shumë njerëz që pyesnin sot: Ç’është kjo zbaticë kaq e theksuar?
Metalla ka treguar se një fenomen i cili ishte vënë re nga shumë njerëz edhe për faktin se ishte dite e bukur e me diell dhe mjaft qytetarë kishin dalë ta shijonin këtë ditë buzë detit. Dhe largimi i dukshëm i detit i kishte bërë kurioz. Për më tepër më erdhi një foto nga miku im Arian Dedej i cili më bëri të njëjtën pyetje? Përse është ulur kaq shumë niveli i detit? Dhe për rastësi fotoja që më erdhi ishte marrë pikërisht nga pothuaj i njëjti pozicion që unë kisha bërë foto në janar të vitit 2018. Dhe zbatica duket pothuaj e njëjtë.
Lexo: Paralajmërimi i NASA-s: Graviteti i Hënës do të shkaktojë përmbytje gjatë dekadës së ardhshme
“Në fakt uljet dhe ngritjet periodike të nivelit të detit njihen me emërtimin batica dhe zbatica të cilat ndodhin në mënyrë periodike afro çdo 6 orë. Lëvizja e Hënës përreth Tokës bëhet në një kohë prej 24h49m, dhe njëkohësisht distanca e Hënës nga toka nuk është gjithnjë e njëjtë. Në këtë moment që po shkruaj distanca e Hënës nga Toka është 227 326 milje dhe kjo distancë është e ndryshueshme (marre nga aplikacionet)”, ka shpjeguar profesor Metalla.
Më tej ai shtoi se njëkohësisht edhe Dielli ka tërheqje gravitacionale. Në momentin kur Toka Hëna dhe Dielli janë të rreshtuar fuqia e tyre gravitacionale rritet duke shkaktuar ato që njihen si baticat dhe zbaticat pranverore të cilat janë mjaft të dukshëm si rasti i këtyre ditëve. Gjithsesi janë astronomët ata që duhet të na thonë diçka më shumë./Motilokal.com