Familja e apasionuar pas biçikletës udhëtoi në 11 vende për 8 muaj

Familja e apasionuar pas biçikletës udhëtoi në 11 vende për 8 muaj

Familja Vallin e cila u nis me biçikleta nga Italia, gjen mundësinë të shikojë vende të reja dhe të bëjë sport.

Nëna Chiara Canciani (43), bashkëshorti francezi Remi Vallin (42), fëmijët Tomas (11), Romane (9) dhe Elise (6) u nisën rreth 8 muaj më parë në udhëtimin e tyre me biçikleta nga Italia.

Pas Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë familja mbërriti në Turqi dhe më pas në Iran, Dubai dhe Oman me biçikleta, ndërsa në Sri Lanka udhëtuan me avion.

Duke u kthyer nga ndalesa e radhës në Nepal me biçikletat e tyre, familja Vallin qëndroi për 3 ditë në Akademinë e Çiklizmit ‘Yıldızlar‘ në zonën Lüleburgaz në qytetin Kırklareli në Turqi.


Këtu familja kreu mirëmbajtjen e biçikletave dhe rreth 3 orë të ditës e ndau për arsimin e fëmijëve.

Herë pas here Remi Vallin ka performuar me kitarën ‘ukulele‘ për anëtarët e familjes dhe në një pjesë të ditës doli në shëtitje me fëmijët.

"Turqia vendi favorit në mesin e vendeve që kemi vizituar"


Chiara Canciani në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se u pëlqen të udhëtojnë me biçikletë. Canciani tha se me bashkëshortin janë njohur gjatë një udhëtimi me biçikletë para 20 viteve dhe se vendosën të bëjnë këtë udhëtim me biçikletë pasi u bënë me 3 fëmijë.

Ajo theksoi se për herë të parë po bëjnë një udhëtim kaq të gjatë me biçikleta dhe se kanë vizituar 11 vende. "Udhëtimin e filluam në gushtin e kaluar. Udhëtojmë prej rreth 8 muajsh dhe na kanë mbetur 3 muaj për t'u kthyer në shtëpi. Në fillim bënim 30 kilometra ndërsa tani 50-60 kilometra në ditë. Unë, bashkëshorti Tomas dhe Romane mund të ngasim biçikletë ndërsa Elise udhëton bashkë me mua", u shpreh Canciani.


Duke bërë të ditur se të ngasësh biçikletën është shumë e thjeshtë dhe e këndshme Canciani tha: "Mund të akomodohemi ku të dëshirojmë. Në vendet ku akomodohemi ngrihemi në mëngjes rreth orës 07:00 dhe më pas fillojnë mësimet. Për këtë vit mësuesit e fëmijëve jemi ne, unë dhe bashkëshorti. Japim mësime për frëngjisht dhe matematikë dhe më pas nisemi në rrugë. Në kushte normale pedalojmë 4-5 orë dhe ndalojmë. Udhëtojmë 3 orë në mëngjes dhe 2 pas drekës. Kur mbërrijmë në destinacion është shumë bukur sepse fëmijët luajnë dhe shijojnë vendin ku ndodhemi".

Canciani tha se e duan shumë Turqinë. "Turqia është vendi ynë favorit në mesin e vendeve që kemi vizituar. Njerëzit janë të mrekullueshëm dhe bujarë. Çdo ditë takojmë njerëz që na ofrojnë çaj ose fëmijëve ndonjë gjë. Kemi vizituar shumë vende kryesisht në Kapadokya. Jemi të sigurt se në Turqi do të vijmë përsëri", tha ajo.

"Kemi kursyer para 10 vjet për këtë udhëtim"

Remi Vallin thotë se kanë kursyer para 10 vite për të realizuar këtë udhëtim.


Duke shpjeguar se në Itali siguron jetesën duke prodhuar pajisje që lehtësojnë jetën e invalidëve, Vallin tha: "Marrja e vendimit për t'u larguar nga shtëpia dhe për filluar udhëtimin një vjeçar ishte e vështirë. Kur filluam udhëtimin çdo ditë kaloi shumë më lehtë. U njohëm me njerëz të rinj, zbuluam vende të reja".

Vallin tha se e kanë pëlqyer shumë Turqinë dhe se kanë filluar të bëjnë plane për të ardhur sërish.

Ndërsa Tomas Vallin tha se është shumë i lumtur që kanë udhëtuar me biçikletë, pasi kanë njohur njerëz të rinj në çdo vend që kanë vizituar dhe se kanë mësuar dhe kanë luajtur me lojëra./Motilokal.com