Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka njoftuar se rasti i fundit i gjuetisë së paligjshme i sinjalizuar nga kontaktet, vjen nga një publikim në rrjetin social Facebook. Sipas postimit 4 persona, në rrethin e Beratit kanë vrarë dy individë të derrit të egër, megjithatë dyshohet të jenë edhe me shumë.
PPNEA thotë se pas raportimit të këtij rasti tek institucionet përkatëse, personat në fjalë kanë fshirë çdo gjurmë të postimit nga rrjetet sociale.
“Shqetësimi jonë qëndron në faktin se moratoriumi në fuqi, nuk po mundet të ndalojë veprimtarinë e gjuetarëve të paligjshëm, madje ata ndihen të guximshëm mjaftueshëm sa edhe ti publikojnë vrasjet e jetës së egër”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se ky nuk është rasti i parë i vrasjeve të llojeve gjatë moratoriumit. Kujtojmë se në vitet e kaluara ka pasur raste të vrasjes së rrëqebullit të Ballkanit, lejlekut, ariut etj.
“Edhe studimi i bere nga #ENETWILD, që ne publikuam së fundi, për dendësinë e popullatës së derrit të egër në Munellë, tregon se Shqipëria edhe pse prej 8 vitesh ndodhet në moratorium gjuetie, ka dendësinë më të ulët nga 19 zonat e përfshira në studim, në 13 vende Europiane.”
PPNEA shprehet se krijimi i ligjit të ri për gjuetinë i shoqëruar me krijimin e strukturave kontrolluese është një nevojë emergjente për menaxhimin e gjuetisë, duke krijuar një model më efektiv se moratoriumet e pazbatueshme./Motilokal.com
