Përmbytjet bëjnë kërdi në Pakistan: 903 të vdekur që nga mesi i qershorit

Përmbytjet bëjnë kërdi në Pakistan: 903 të vdekur që nga mesi i qershorit

Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje të shpejta duke bërë kërdi në pjesën më të madhe të Pakistanit që nga mesi i qershorit. Si pasojë e përmbytjeve kanë vdekur 903 persona dhe rreth 50,000 kanë mbetur pastrehë.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive tha se 126 njerëz u vranë në incidentet e lidhura me përmbytjet në 48 orët e fundit, ku shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Përmbytjet e kanë përkeqësuar më tej krizën ekonomike të Pakistanit. Kryeministri Shahbaz Sharif lëshoi një apel të mërkurën nga jashtë, duke u kërkuar filantropëve të ndihmojnë zonat e prekura nga përmbytjet në Pakistan.

Sharif ndodhet aktualisht në shtetin arab të Gjirit të Katarit, ku mbërriti të martën, duke kërkuar ndihmë financiare, hua dhe investime të huaja për shtetin e tij. Qeveria e tij ka premtuar të kompensojë ata që humbën shtëpitë nga përmbytjet.

Pas bisedimeve të mërkurën me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Sharif njoftoi se Autoriteti i Investimeve të Katarit është i përgatitur të investojë 3 miliardë dollarë në Pakistan.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës ka shkaktuar kushte të paqëndrueshme të motit në Pakistan, duke rezultuar në shpërthime resh dhe shkrirje të akullnajave që ka fryrë lumenjtë. Ata thonë se kufizimi i emetimeve të gazave serrë për ngrohjen e planetit do të ndihmojë në kufizimin e ngjarjeve më drastike të motit në mbarë botën, duke përfshirë Azinë Jugore./Motilokal.com