Gjermania ka miratuar një sërë masash për kursimin e energjisë për dimër, teksa përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus.
Ndër plane të tjera janë që ngrohja në ndërtesat publike do të ndalet ose kufizohet në një maksimum prej 19 gradë Celsius nga shtatori e në vazhdim, si dhe do të ketë kufizime të reja në ndriçimin e objekteve publike dhe dyqaneve për arsye estetike.
Mund të ndalohet edhe ngrohja e pishinave private. Qeveria shpreson se rregullat mund të ndihmojnë në uljen e përdorimit të gazit me 2 për qind, ndërkohë që vendi ul varësinë e tij të gjatë nga importet ruse.
Parashikojnë që shkallët dhe korridoret të mos ngrohen më, ndërsa në vendet e punës që kërkojnë punë të rëndë fizike dhomat do të ngrohen deri në 12 gradë.
Dyqanet dhe lokalet afariste ndalohen të hapin derën e hyrjes për një kohë të gjatë për të parandaluar humbjen e nxehtësisë, kurse shtëpive u ndalohet ngrohja e pishinës me gaz ose energji elektrike.
Masat e qeverisë për kursimin e energjisë vlejnë edhe për ndriçimin e ambienteve të biznesit. Reklamat me ndriçim si dhe ndriçimi në vitrinat e dyqaneve nuk mund të ndizen nga ora 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit, me përjashtim të vitrinave të dyqaneve në nënkalimet për këmbësorë.
Ndërtesat publike nuk do të lejohen më të përdorin ndriçimin e jashtëm, përfshirë këtu edhe ndriçimin e monumenteve të kulturës, ka vendosur qeveria.
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck tha se këto masa mund të kursejnë deri në dy për qind e gjysmë të konsumit total të energjisë në Gjermani. Objektivi i qeverisë është 20 për qind, “Ne po përballemi me një detyrë të përmasave kombëtare. Çdo kontribut ka rëndësi”./Motilokal.com
