Mjekët paralajmërojnë se kriza klimatike mund të çojë në më shumë kancer të lëkurës

Mjekët paralajmërojnë se kriza klimatike mund të çojë në më shumë kancer të lëkurës

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në botë, sipas The Skin Cancer Foundation (SCF). Shumica e rasteve të melanomës mund t'i atribuohen ekspozimit ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV) nga dielli, dhe ekspozimi i tepërt rrit rrezikun e të gjitha llojeve të kancerit të lëkurës.

Kriza klimatike po shkakton temperatura më të larta në verë që sipas ekspertëve, kjo do të shkaktojë rritje të kancerit të lëkurës, përfshirë melanomën, llojin më të rëndë të kancerit të lëkurës.

Vala e nxehtësisë në Britaninë e Madhe është vetëm një shembull i ngrohjes globale dhe shkencëtarët e klimës kanë thënë se nuk ishte një dukuri e njëhershme; rritja e temperaturave ka të ngjarë të ndodhë më shpesh, raportoi The Guardian.

Mjekët tani janë të shqetësuar se, me rritjen e temperaturave, njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë në diell, ekspozimi i tyre ndaj ultravjollcës dhe rreziku i kancerit të lëkurës do të rritet.

"Një nga sinjalet më të qarta të ndryshimit të klimës janë temperaturat më të nxehta, jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit", tha eksperti i shkencës klimatike në Universitetin e Bristolit, profesor Dann Mitchell, siç raportoi The Guardian.

“Ky ndryshim i temperaturave gjithashtu ndryshon modelet e sjelljes dhe njerëzit në Britani priren të dalin jashtë më shumë kur temperaturat janë të ngrohta. Kjo çon në më shumë ekspozim ndaj dritës së diellit gjatë gjithë vitit, dhe në mënyrë thelbësore më shumë ekspozim ndaj pjesës UV, e cila është një faktor i njohur rreziku për kancerin e lëkurës.”

Julia Newton-Bishop, e cila është një drejtuese e grupit të kërkimit të melanomës në Universitetin e Leeds, shprehu shqetësimin se, duke qenë se melanoma në thelb shkaktohet nga djegia e diellit, nxehtësia ekstreme do të shkaktojë më shumë djegie nga dielli dhe një rritje të rasteve të melanomës.

Sipas SCF, ekspozimi ndaj rrezeve të diellit shoqërohet me rreth 86 për qind të rasteve të melanomës, zbuloi një studim në Britani. Ekspozimi UV u shoqërua gjithashtu me rreth 90 për qind të llojeve të kancerit të lëkurës jo melanoma.

Në vitin 2020, shumica e rasteve të melanomës në botë u gjetën në Australi, tha World Cancer Research Fund International, siç raportohet nga The Independent.

Që nga fillimi i viteve 1990, shfaqja e kancerit të lëkurës në Britani është rritur me 140 për qind.

Në mesin e meshkujve, vdekjet nga kanceri i lëkurës në Britaninë e Madhe janë trefishuar që nga vitet 1970, raportoi The Guardian. Rritje janë raportuar edhe te femrat.

Profesoresha e Onkologjisë Mjekësore në Universitetin e Sheffield, Sarah Danson tha se hapat bazë për të reduktuar ekspozimin në diell përfshijnë veshjen e kapelave dhe këmishave, shmangien e diellit tërësisht nga ora 11:00 deri në orën 15:00, veshjen e kremrave kundër diellit dhe uljen në hije. Danson tha se këshilla e mjekut duhet të kërkohet menjëherë për çdo nishan të ri ose në ndryshim, pasi diagnostikimi i hershëm i kancerit të lëkurës është thelbësor./Motilokal.com