Mbi 1000 të vdekurve nga përmbytjet në Pakistan

Mbi 1000 të vdekurve nga përmbytjet në Pakistan

Zyrtarët pakistanezë kanë bërë të ditur se si pasojë e përmbytjeve të rrëmbyeshme, të shkaktuara nga shirat e dendur që kanë goditur prej mesit të muajit qershor pjesën më të madhe të vendit, rreth 1000 persona kanë humbur jetën dhe me mijëra të tjerë janë zhvendosur.

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se 119 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 1.033.

Zyrtarët në Pakistan kanë thënë se gjatë këtij viti vërshimet kanë prekur mbi 33 milionë banorë – një në shtatë pakistanezë, duke shkatërruar apo dëmtuar rëndë pothuajse një milion shtëpi.

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se mbi dy milion hektarë të mbjella me produkte bujqësore janë shkatërruar plotësisht, 3.451 kilometra rrugë janë shkatërruar dhe 149 ura janë shembur.

Shirat që bien çdo vit zakonisht janë thelbësore për ujitjen e tokës bujqësore dhe mbushjen e kapaciteteve të liqeneve. Por, ato çdo vit sjellin edhe një valë shkatërrimi./Motilokal.com