Agjencia Amerikane e Hapësirës NASA po numëron mbrapsht deri në ngritjen e raketës së saj gjigante në Hënë.
SLS është automjeti më i fuqishëm i zhvilluar ndonjëherë nga NASA dhe do të jetë themeli i projektit të saj Artemis.
Raketa e parë hënore e lansuar nga NASA në pesë dekadat e fundit pritet që të ngrihet nga Qendra e Hapësirës Kennedy në bregun e Floridës me 29 gusht.
Nëse çdo gjë shkon mirë, udhëtimet me astronautë mund të fillojnë që në vitin 2024.
Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.
Do të jetë kurorëzimi i viteve të punës së qindra njerëzve.
Mbi 50 vite më pas, misioni Apollo ende dallon si arritja më e madhe e NASA-s.
Duke përdorur teknologjinë e viteve 1960, pas vetëm tetë vitesh nga dërgimi i astronautit të parë Alan Shepard, NASA arriti të zbresë në Hënë edhe astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin.
Ndërsa për të përgatitur raketën e re Artemis u desh të paktën mbi një dekadë punë, megjithë ekzistonte edhe eksperienca e krijuar nga një program eksplorues në Hënë, që u quajt Konstelacion, por që nuk zgjati shumë. 12 astronautë të misionit Apollo ecën në sipërfaqen e Hënës gjatë periudhës 1969-1972, me qëndrim jo më të gjatë se tre ditë për secilin.
Raketa e re Artemis është më e shkurtër dhe më e hollë se raketa që dërgoi gjithsej 24 astronautë drejt Hënës gjysmë shekulli më parë. Megjithatë ajo është më e fuqishme. Versionet e saj të ardhshme që do të quhen Sistemi i Nisjes në Hapësirë, do të jenë edhe më të mëdha.
Për të plotësuar stafin për raketën Artemis, NASA do të përzgjedhë ndër 42 astronautë, të cilët do të munden të qëndrojnë në Hënë për të paktën një javë.
Objektivi është krijimi i një pranie afatgjatë në Hënë, që do të përgatisë terrenin për dërgimin e njerëzve drejt Marsit./Motilokal.com
