Ndryshimet klimatike: Vera e ngrohtë në Evropë thyen rekorde

Ndryshimet klimatike: Vera e ngrohtë në Evropë thyen rekorde

Kjo verë ishte më e nxehta e regjistruar në Evropë, sipas të dhënave nga monitorimi satelitor i BE-së.

Një seri valësh ekstreme të të nxehtit dhe një thatësirë e gjatë u regjistrua në qershor, korrik dhe gusht duke thyer rekordet e temperaturave.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Kopernikus tha se të dhënat treguan se gushti në Evropë ishte më i ngrohti në histori me "një diferencë të konsiderueshme".

Në nivel global, studiuesit thonë se gushti ishte i treti më i ngrohtë i regjistruar deri më tani.

Nuk do të jetë befasi për këdo që përjetoi nxehtësinë intensive të kësaj vere në të gjithë kontinentin që rekordi i temperaturës në të gjithë Evropën është thyer me një diferencë të madhe.

Sipas të dhënave nga Kopernikus, ky vit ka shënuar një rekord të ri si për verën në tërësi, ashtu edhe për muajin gusht.

Vera ishte 0.4 gradë Celsius më e ngrohtë se rekordi i mëparshëm, i vendosur vetëm vitin e kaluar.

Gushti ishte 0.8 gradë Celsius më i ngrohtë se i njëjti muaj në vitin 2018.

"Një seri e fortë valësh të nxehtit në të gjithë Evropën e shoqëruar me kushte jashtëzakonisht të thata, kanë çuar në një verë ekstreme me rekorde përsa i përket temperaturës, thatësirës dhe aktivitetit të zjarrit në shumë pjesë të Evropës, duke prekur shoqërinë dhe natyrën në mënyra të ndryshme", tha Freja Vamborg, një shkencëtar në Shërbimin e Ndryshimeve Klimatike Kopernikus.

"Të dhënat tregojnë se ne jo vetëm që kemi pasur temperatura rekord të gushtit për Evropën, por edhe për verën, me rekordet e mëparshme të viti të kaluar."

Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat arritën një nivel të ri prej 40,3 gradë Celsius, i regjistruar në Coningsby në Lincolnshire më 19 korrik. Ishte një hap i rëndësishëm mbi rekordin e mëparshëm prej 38,7 gradë Celsius të vendosur në 2019-ën.

Këto ekstreme u panë edhe në shumë vende të tjera me 64 zona të ndryshme të Francës që përjetuan rekord, ndërsa temperaturat në Portugali arritën në 47 gradë Celsius në korrik.

Evropa përjetoi gjithashtu kushtet më të këqija të thatësirës në 500 vjet.

Në të gjithë globin, temperaturat e larta në gusht vazhduan gjerësisht, me kushtet e thatësirës që preken edhe Kinën.

Por nuk ishte një pamje uniforme, shumë zona patën rrebeshe të konsiderueshme që rezultuan në përmbytje.

Siç e kemi parë më së fundi në Pakistan, kushtet më të lagështa se mesatarja kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, duke çuar në humbje jete dhe prona.

Të dhënat satelitore tregojnë gjithashtu se ishte më i lagësht se mesatarja në pjesën më të madhe të Skandinavisë dhe në pjesë të Evropës jugore dhe juglindore, ku një stuhi "derecho" solli erëra dhe shira ekstremë.

Shkencëtarët e klimës thonë se si nxehtësia ekstreme ashtu edhe kushtet e lagështa priten në një klimë ngrohëse ku emetimet e gazrave ngrohëse nga aktivitetet njerëzore kanë rritur temperaturat me mbi 1.1 gradë Celsius./Motilokal.com

Fotografia: Arian Mavriqi