Një kroçere me 527 turistë amerikanë ka mbërritur mëngjesin e kësaj të marte në portin e Durrësit.
Anija turistike Nautica me gjatësi 180 metra u ankorua në kalatën numër pesë ku do të qëndrojë deri në mbrëmje.
Gjatë ditës turistët do të vizitojnë qendrat muzeale, arkeologjike dhe historike në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujës.
Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se kroçera ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Porti i Sirios (Greqi) drejt Durrësit.
Anija turistike po kryen një turë lundrimi në 9 porte të Adriatikut dhe Jonit, kryesisht në Itali, si dhe në tre porte të Greqisë, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Nga Qendra e Informacionit, mësohet gjithashtu se anija më pas do të lundrojë drejt dubrovnikut në Kroaci.
Autoriteti Portual Durrës thotë se ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijes dhe sigurinë e turistëve në territorin portual./Motilokal.com





