Kumbaro: Projekti 'Evropa për natyrën' është krijuar për menaxhimin e mbetjeve dhe natyrën në zonat e mbrojtura

Kumbaro: Projekti 'Evropa për natyrën' është krijuar për menaxhimin e mbetjeve dhe natyrën në zonat e mbrojtura

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se 35 milionë euro janë parashikuar për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe 6 milionë euro për programin “Evropa për natyrën”, që konsiston në mbrojtjen e natyrës të identifikuar si një nga prioritetet kryesore mjedisore nga qeveria shqiptare.

Ajo në Kuvendin e Shqipërisë tha se mjedisi është prioritet jo vetëm i qeverisë shqiptare, por edhe prioritet botëror. Dy projekte madhore janë të përfshira në IPA III ekonomia qarkulluese me fokus menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe programi i dytë është natyra dhe zonat e mbrojtura.

“35 milionë euro janë parashikuar për programin e parë ekonominë qarkulluese për të forcuar hapat e Shqipërisë në aksionin evropian të rritjes së gjelbër për një Shqipëri të pastër si pjesë e sfidës mbarëbotërore për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Një betejë që asnjë vend nuk e ka fituar sot, por një pjesë e vendeve më të avancuara evropiane por edhe më të emancipuara kanë identifikuar modelin rrugës e si duhet të përballojë shoqëria e konsumit bashkëjetesën me mbetjet që vetë prodhon”, theksoi Kumbaro.

“Programi IPPA do të zbatojë modele për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për mbylljen e venddepozitimeve të paligjshme në zonat e menaxhimit të mbetjeve për dy qarqet ku do të përqendrohet programi në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës. Këto dy modele do të fokusohen në studimin e fizibilitetit të kryer po nga fondet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të mbetjeve nga prodhuesi i mbetjeve deri në pikën fundore të trajtimit të mbetjeve të ngurta me një theks të veçantë në ndarjen në burim, riciklimin dhe edukimin mjedisor”, u shpreh Kumbaro.

Duke folur për programin “Evropa për natyrën”, Kumbaro tha se “ky program është krijuar për të kontribuar në menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura si dhe në krijimin e zonave të reja të mbrojtura si pjesë e përgatitjes për rrjetin “Natyra 2000″. Objektivi i përgjithshëm i programit është që të mbrojë dhe të ruajë objektivin minimal deri në vitin 2030, 25% e territorit jemi deri tani në 21.3% me vendimet e fundit të qeverisë në janar të këtij viti dhe për të zbatuar një sistem efektiv të zonave të mbrojtura për të arritur një objektiv maksimal deri në 30% të territorit të zonave të mbrojtura deri në vitin 2030”./Motilokal.com