Pas disa ditësh me diell dhe temperatura të larta, nga dita e premte Shqipëria pritet të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash dhe kthjellime kryesisht në jug të vendit.
Reshje shiu që në orët e para të 24-orëshit në veriperëndim të vendit, të cilat në këtë zonë do të mbeten prezente të herëpasherëshme me intensitet mesatar e lokalisht të lartë në formën e shtrëngatave dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në mesditë reshjet e shiut të karakterit lokal do të prekin edhe zonën qendrore.
Priten reshje intensive në qarkun Shkodër dhe mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Kukës dhe Lezhë. Në zonat urbane në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Gjithashtu, në këto qarqe pritet të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërsa, në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë. Reshjet priten të shoqërohen dhe me shtrëngata.
Temperaturat për ditën e sotme do të luhatën nga 23 deri në 28 °C.
Të shtunën do të mbajë mot me vranësira e reshje intensive shiu me bubullima e shkarkime rrufesh. Temperaturat parashihet të lëvizin prej 20 deri në 24 °C.
E diela pritet të mbajë mot më freskët e me diell. Temperaturat parashihet të lëvizin prej 17 deri në 22 °C./Motilokal.com


