Apelohet për ndaljen e degradimit dhe shkatërrimit të pasurisë natyrore të Prizrenit

Apelohet për ndaljen e degradimit dhe shkatërrimit të pasurisë natyrore të Prizrenit

Pamje të rënda të maleve ka gjithandej Kosovës. Ani pse shumë nga to mbrohen me ligj, prerja e pyjeve vazhdon. Ndalimi i degradimit të pyjeve është një sfidë e madhe për ata që duhet t’i mbrojnë.

Shoqata Bjeshkatare "Sharri" përmes një postimi ka apeluar për ndaljen e degradimit dhe shkatërrimit të pasurisë natyrore të qytetit të Prizrenit.

Sipas njoftimit të tyre shtegu dhe vendi më ikonik mbi Kalanë e qytetit, Kroi i Pashës dhe pylli shekullor me pisha përreth tij këto ditë po vazhdon të shkatërrohet pa mëshirë.

SH.B “Sharri” thekson se nëse kjo do të vazhdojë ky do të jetë një krim të cilin gjeneratat e ardhshme nuk do të na falin.

“Shoqata e jonë i bën apel Kryetarit të Komunës, Ministrit të Ambientit që të marrin masa dhe ta ndalin këtë projekt degradues në mënyrë urgjente. U bëjmë thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe më gjerë që ta ngrisin zërin në mënyrë që ta parandalojmë shkatërrimin e kësaj pasurie të përbashkët”, thuhet në apelin e SH.B “Sharri”./Motilokal.com