Tajfuni Nanmadol godet Japoninë me shi rekord, duke vrarë dy persona e dhjetëra të lënduar

Tajfuni Nanmadol godet Japoninë me shi rekord, duke vrarë dy persona e dhjetëra të lënduar

Një tajfun i fuqishëm përfshiu Japoninë jugperëndimore, duke sjellë erëra të forta dhe shi të rrëmbyeshëm që la të paktën dy të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe më shumë se 300,000 familje pa energji.

Pasi ra në tokë pranë qytetit të Kagoshima në ishullin jugor të Kyushu të dielën, tajfuni Nanmadol u nis në veri-lindje ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Japonia ka paralajmëruar më shumë se 8 milionë banorë në pjesët jugore dhe perëndimore të vendit që të evakuohen për shkak të tajfunit të fuqishëm Nanmadol, njoftoi transmetuesi publik NHK të dielën.

NHK raportoi se rreth 3,7 milionë familje janë prekur nga alarmi i nivelit të katërt të lëshuar nga institucionet kompetente për evakuimin e pjesëve të rajoneve Kyushu, Shikoku dhe Chugoku.

Të shtunën, Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim të nivelit të pestë kundër tajfunit, i cili pritet të godasë rajonin Kyushu në jug të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Alarmi i nivelit të pestë është më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, sipas NHK-së.

"Tajfuni shumë i fuqishëm mund të shkaktojë një lloj të fatkeqësisë që mund të shihet vetëm një herë në disa dekada", raportoi transmetuesi, duke cituar zyrtarët e motit.

Zyrtarët deklaruan se "erërat maksimale deri në 180 kilometra në orë do të godasin pjesën veriore dhe jugore të Kyushu si dhe ishujt Amami me fuqi maksimale që arrijnë deri në 252 kilometra në orë të dielën".

Fluturimet janë ndërprerë në të gjitha aeroportet e vendit.

“Që nga ora 06:00 e mëngjesit të së dielës, Japan Airlines dhe All Nippon Airways kanë vendosur të anulojnë mbi 500 fluturime gjatë ditës. Kompanitë e tjera ajrore gjithashtu kanë anuluar shërbimet e tyre”, thuhet në raport.

Shiu, era dhe stuhitë kanë shkaktuar tashmë ndërprerje të konsiderueshme në shërbimet hekurudhore, trageteve dhe trafikut ajror, duke shkaktuar anulime të gjera të hënën./Motilokal.com