Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në profilin e saj në Facebook, ka publikuar fotografinë e Vlashit, pelikanit kaçurrel të parkut Divjakë-Karavasta.
Ky pelikan kohë më parë ishte gjetur nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier në gjendje jo të mirë shëndetësore pranë lagunës së Karavastasë.
“Specialistët u kujdesën me përkushtim duke bërë të mundur që të fluturonte sërish, teksa ai rikthehet vazhdimisht në park”, tha Kumbaro.

Kumbaro theksoi se vetëm në muajin gusht, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është frekuentuar nga më shumë se 137 mijë vizitorë.
Laguna e Karavastasë është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ta një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin dhe për t’u shumuar. Ajo është gjithashtu habitati i vetëm në Shqipëri ku mund të rritet pelikani kaçurrel.
Ishujt natyrorë brenda lagunës janë elementi më i rëndësishëm i kësaj zone për ruajtjen e zogjve. Për të shmangur shqetësimet në vende të tjera, pelikanët tani i ngrenë foletë e tyre vetëm në këta ishuj.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është habitati kryesor i pelikanëve.
/Motilokal.com


