SHBA, rreth 70 të vdekur nga uragani Ian

SHBA, rreth 70 të vdekur nga uragani Ian

Uragani Ian la dhjetëra viktima dhe shkatërrime të pallogaritshme pas tij nga SHBA. Reuters raporton 50 vdekje të konfirmuara, shumica prej tyre në Lee County, Florida. Akoma më tragjike janë bilancet e mediave amerikane, ku NBC flet për 77 të vdekur dhe CNN për më shumë se 70.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar në shtëpitë e përmbytura në Florida. Shteti u godit në fillim të kësaj jave nga uragani Ian, një nga më të fortët që kanë goditur ndonjëherë vendin.

Pas Floridës, stuhia goditi të premten Karolinën e Jugut. Autoritetet thanë se po punojnë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga stuhia.

Uragani Ian e ka humbur forcën dhe është shndërruar në një stuhi tropikale që po lëviz aktualisht nëpër disa pjesë të Karolinës së Veriut dhe shtetit të Virxhinias.

Stuhia e fuqishme terrorizoi me miliona njerëz gjatë pjesës më të madhe të javës.

Gati 1.2 milionë shtëpi dhe biznese në Florida ishin pa energji të shtunën. Në tre shtetet e tjera të përmendura më sipër, ky numër vlerësohet të jetë rreth 300,000.

Presidenti amerikan Joe Biden kishte shprehur frikën të premten se uragani Ian ndoshta do të jetë një nga më të këqijtë në historinë e vendit.

“Ne sapo kemi filluar të shohim shkallën e shkatërrimit”, tha ai, duke shtuar se do të duhen muaj, ndoshta vite për të rindërtuar zonat e prekura.

/Motilokal.com