Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacionin për mbrojtjen e kafshëve VIER PFOTEN Kosova/PYLLI I ARINJVE Prishtina, kanë shënuar këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina, Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit.
Qëllimi është t'i jepet fund abuzimit të kafshëve dhe të promovohet ruajtja dhe përdorimi i përgjegjshëm ndaj tyre. Tema e Ditës Botërore për mbrojtjen e Kafshëve për vitin 2022 është "Planeti i përbashkët".

Kosova hynë në radhën e vendeve me faunë më të pasur dhe më heterogjene të Gadishullit Ballkanik. Kjo pasuri faunistike është rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar, euro-siberian dhe atij nordiko-alpin, si dhe i ndryshimeve të shpeshta të kushteve ekologjike nga e kaluara.
Në vendin tonë mund të gjenden lloje të gjitarëve dhe shpendëve e që janë mjaftë të rralla për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Disa prej tyre janë relikte e të kërcënuara nga zhdukja dhe për këtë arsye gjenden në listat dhe konventat ndërkombëtare.

Për më shumë, Teuta Fazliu, kryesuese e grupit punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve, prezantoi ecurinë e grupit punues lidhur me këtë strategji.
Ndërsa z. Afrim Mahmuti nga Pylli i arinjve në pika të shkurta prezantoi punën ndër vite, si dhe vendin ku janë strehuar të gjithë arinjtë të cilët për vite të tëra kanë qenë të shpërndarë dhe keqtrajtuar në të gjithë Kosovën, ndërsa tani kanë kujdesin e duhur e të mirëfilltë.
/Motilokal.com
