Me fillimin e vjeshtës qytetarët e Kosovës fillojnë të përgatiten për sezonin e dimrit. Ndërsa qytetarët e Prishtinës janë në pritje për fillimin e ngrohjes nga Termokosi.
Zëdhënësja për informim nga Termokosi Afërdita Uka-Fejzullahu në një prononcim për Motilokal.com tha se të gjitha parapërgatitjet për fillimin e sezonit 2022/2023 për ngrohje në Prishtinë janë në përfundim.
“NP “Termokos”, SH.A. ka finalizuar përgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës 2022/2023, i cili bazuar në aktet ligjore në fuqi duhet të fillojë më 15 tetor”, u shpreh zëdhënësja Uka-Fejzullahu.
Tutje ajo theksoi se Termokos është duke përcjellë me kujdes lëvizjen e temperaturave, në mënyrë që të ndërmarrim masat e nevojshme bazuar në situatën meteorologjike.
“Gjithë përgatitjet janë realizuar sipas planit operacional të përgatitur nga departamentet përkatëse. Pak ditë më parë ka filluar mbushja e sistemit të ngrohjes me ujë. Aktualisht po bëhen testimet e fundit të gjithë sistemit të ngrohjes. NP “Termokos” është gati për fillimin e sezonit të ri ngrohës”, tha zëdhënësja Uka-Fejzullahu.
Ndërsa furnizimi me ngrohje do të vazhdojë deri më 15 prill, varësisht edhe nga kushtet e motit dhe për aq kohë sa lejohet ligjërisht të vazhdon furnizimi me ngrohje.
/Motilokal.com
