Një menu marsiane për të ushqyer tokësorët në Planetin e Kuq

Një menu marsiane për të ushqyer tokësorët në Planetin e Kuq

Çfarë mund të hanë njerëzit në Mars? Me agjencitë hapësinore, duke përfshirë NASA-n dhe Administratën Kombëtare të Hapësirës të Kinës, që shpresojnë të dërgojnë misione me ekuipazh në Mars brenda dy dekadave të ardhshme, dhe miliarderët e teknologjisë si Elon Musk që zhvillojnë plane për të kolonizuar planetin e kuq, ushqyerja e një komuniteti marsian do të ishte një pyetje kyçe për t'u zgjidhur.

Një udhëtim vajtje-ardhje deri në Mars zgjat më shumë se një vit, kështu që rezervat ushqimore duhet të jenë të mëdha. Për të transportuar një kilogram material nga Toka në hapësirë duhen rreth 10 mijë dollarë.

Nëse njerëzimi do të arrijë ndonjëherë në planetin e kuq, ne do të duhet të zhvillojmë sisteme të vetë-qëndrueshme për të prodhuar ushqim në një nga mjediset më të ashpra që mund të imagjinohet.

Komuniteti që do të jetonte në Mars do të ishte i ekspozuar ndaj rrezatimit dhe temperaturave që arrijnë deri në 104 gradë celsius. Evan Fraser, drejtor i Institutit Ushqimor në Universitetin “Guelph”, Kanada dhe Lenore Newman, drejtore e Institutit Bujqësor në Universitetin “Vraser Valley”, Kanada, autorë të librit “Darka në Mars”, shpalosin idetë e tyre për vaktet ushqimore:

Mëngjesi


Marsiani nga Toka do ta niste mëngjesin me një çokollatë me shumë proteina dhe një filxhan kafe. Kafeja në Mars do të ishte njëlloj si ajo në Tokë. Por çokollata do të ishte e përbërë nga alga të rritura në vaska uji, që përftohet nga shkrirja e akullnajave të planetit të kuq. Algat do të duhet të fertilizohen me minerale që gjenden në Mars, për të nxjerrë një produkt të ngjashëm me spirulinën, ushqimin e preferuar të astronautëve.

Dreka


Sallatë me perime të rritura falë shfrytëzimit maksimal të rrezeve të diellit, sigurisht në “ferma” nëntokësore të mbrojtura nga rrezatimi i tepruar. Pjata do të shoqërohej me një milkshake, të mbushur me qumësht dhe proteina të krijuara nga mikroorganizmat që do të rriteshin në vaskat e ujit, bashkë me algat.

Darka


Nis me një pjatë me domate dhe avokado të përzierë me fara dhe arra, pasuar nga një racion salmon dhe patate të ziera. Për ëmbëlsirë, akullore dhe kek, të shërbyera me manaferra të freskëta. Në tavolinë do të kishte edhe verë marsiane.

Perimet dhe manaferrat do të prodhoheshin në “fermat vertikale”, ndërsa arrat, avokadot dhe rrushi për verën vijnë nga pemët dhe vreshtat që do të mbilleshin në serrat e ngritura në zona të ndryshme të planetit, për t’i përafruar me klimën tokësore.

Salmoni do të prodhohej nga qelizat staminale të marra nga laboratorët në Tokë, por duke qenë se nuk mund të kultivohej peshku, praktikisht do të prodhoheshin llokma të gatshme për t’u ngrënë.

Pas darke


Dy studiuesit kanë menduar që marsiani i ri të konsumojë topa proteine të skuqura dhe pije me gaz, ose vodka të bërë nga patatja.

Kthimi në Tokë


Tani për tani, ne kemi dëshpërimisht nevojë për të gjetur mënyra të reja për të ushqyer njerëzit këtu në Tokë, sepse sistemet tona ushqimore janë një rrëmujë. Prodhimi i ushqimit është përgjegjës për një të tretën e të gjitha emetimeve globale të gazrave serrë të prodhuara nga njeriu dhe përdor më shumë tokë dhe ujë se çdo aktivitet tjetër njerëzor, duke qenë gjithashtu burimi më i madh i ndotjes së ujit . Ushqimi i popullsisë njerëzore të Tokës vjen në kurriz të biodiversitetit, duke shkaktuar zhdukjen e specieve dhe humbjen e habitatit . Megjithatë, në të njëjtën kohë, një e treta e ushqimit në botë humbet kot. Kequshqyerja, obeziteti dhe uria janë të gjitha në rritje.

Puna drejt krijimit të një komuniteti në Mars ka të ngjarë të na japë mjete që ndihmojnë për të zgjidhur disa nga këto probleme. Gjithçka, hapësira e banueshme, uji dhe lëndët ushqyese të bimëve, do të jenë të pakta në Mars, që do të thotë se ushqyerja e një qyteti në planetin e kuq do të na mësojë se si të bëhemi shumë më efikas në Tokë.

/CNN/Motilokal.com