Stuhia Julia shndërrohet në uragan të shkallës së parë

Stuhia Julia shndërrohet në uragan të shkallës së parë

Stuhia Julia e cila u formua në jug të Detit të Karaibeve dhe që po kalon në mesin e ishujve San Andres dhe Providencia të Kolumbisë, është shndërruar në uragan të shkallës së parë.

Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së njoftoi se stuhia tropikale "Julia" e cila të dielën në mëngjes pritet të godasë bregun perëndimor të Nikaraguas është shndërruar në uragan të shkallës së parë.

"Të dhënat nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së dhe avionët zbulues të Forcave Ajrore, tregojnë se Julia është shndërruar në uragan teksa kalon në afërsi të ishujve San Andres dhe Providencia", thuhet në deklaratë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Theksohet se uragani Julia përparon me shpejtësi 28 kilometra në orë dhe ka arritur në erëra të vazhdueshme në shpejtësinë 120 kilometra në orë.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter tha se "Ndodhemi në situatën e alarmit të lartë. Ka shumë mundësi që stuhia Julia të shndërrohet në një uragan dhe të mbërrijë në San Andres natën mes orës 19:00 deri në 21:00. E gjithë infrastruktura e hotelerive duhet të hapë vend për strehimin e popullatës së pambrojtur".

Uragani Iota që goditi rajonin në nëntor 2020, dëmtoi 98 për qind të infrastrukturës së ishullit Providencia.

Në vend u shpall alarm i verdhë dhe në bregun perëndimor filluan evakuimet për shkak të uraganit Julia e cila pritet të mbërrijë mëngjesin e së dielës në Nikaragua dhe e cila kërcënon 800 mijë njerëz në vend.

Autoritetet kishin planifikuar 345 strehimore për më shumë se 68 mijë njerëz që jetojnë në 205 pika kritike të cenueshme nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet.

/AA/Motilokal.com