Njihuni me superjahtin që mund të qëndrojë nën ujë për katër ditë

Njihuni me superjahtin që mund të qëndrojë nën ujë për katër ditë

Prodhuesi holandez i jahtit U-Boat Worx, ka prezantuar dizajnin e superjahtit që kushton 25 milionë dollarë. Jahti i quajtur Nautilus mund të lundrojë mbi dhe nën sipërfaqen e ujit dhe të qëndrojë nën ujë për katër ditë. Megjithatë, prototipi funksional mbetet akoma një ëndërr. Por, falë përpjekjeve dhe ekspertizës së kompanisë U-Boat Worx, kushdo që është i gatshëm t’i paguaj 25 milionë dollarë, do ta ketë superjahtin Nautilus që është 37.5 metra dhe mund të lundrojë nën ujë.

Pjesa e sipërme ofron luks të pafund përfshirë pishinën, barin, kuzhinën dhe shumëçka, e të gjitha këto elemente mund të palosen pa problem kur Nautilus futet nën ujë. Në dispozicion është edhe varka elektrike që i reziston shtypjes së ujit dhe që mbetet pjesërisht jashtë jahtit duke ofruar mundësi që t’i transportojë zhytësit në lokacione të ndryshme. Në brendësi të jahtit është kuzhina, dhoma e qëndrimit ditor për katër persona, ka dritare të rrumbullakëta, pesë dhoma gjumi ku një prej tyre është më e madhe nga tjerat.

Gjithashtu në kabinë ka hapësirë të mjaftueshme edhe për gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Motori që e vë në lëvizje funksionon me naftë, por ka edhe një tjetër elektrik që i ndihmon të lëvizë me shpejtësi prej 16 kilometra në orë. Jahti mund të qëndrojë nën ujë për katër ditë në një thellësi prej rreth 200 metra. U-Boat Worx i plotëson kërkesat e çdo blerësi, kur është fjala për dizajnin. E ata që vendosin ta kenë një të tillë, duhet të presin deri në 30 muaj.

/Motilokal.com