Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2021.
Sipas njoftimit të ASK-së anketa e mbeturinave ka për qëllim grumbullimin e të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë sanitare regjionale, objektet e trajtimit të mbetjeve medicinale-spitalore), sigurimin e të dhënave të qëndrueshme statistikore dhe krijimin e serisë kohore për mbeturinat e trajtuara.
Tutje thuhet se rezultatet e prezantuara në këtë publikim ofrojnë një burim të rëndësishëm statistikor për gjendjen e tanishme të këtij sektori.
“Rezultatet nga AMT 2021, tregojnë se: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 21 307 ton/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 960 ton/vit; dhe sasia gjithsej e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara për vitin 2021 ishte 506 044 ton/vit”, thekson ASK.
Më tej ASK tregon se sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për vitin 2021 ishte si vijon: metalet (14 %), mbeturinat nga plastika (31 %), mbeturinat spitalore (4 %), mbeturinat e letrës dhe kartonit (51 %).
“Kurse, sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare regjionale në vitin 2021 ishte 483 777 ton/vit. Krahasuar me të dhënat e vitit 2020, ka një rritje prej 8.6 %. Ndërsa krahasuar sipas regjioneve sasia më madhe e mbeturinave të deponuara ka qenë në deponin sanitare në regjionin e Prishtinës (Mirash), 167 371/ t ose 35 %”, thuhet në komunikatë.
/Motilokal.com
