Nesër eklipsi i pjesshëm diellor, mund të shihet nga Shqipëria dhe Kosova

Nesër eklipsi i pjesshëm diellor, mund të shihet nga Shqipëria dhe Kosova

Eklipsi i pjesshëm diellor do të jetë i dukshëm nga pjesa më e madhe e Evropës, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe pjesët perëndimore të Azisë, por askund nuk do të ketë një eklips të plotë diellor.

Gjatë dy orë e 15 minutave sa do zgjasë, Hëna do të pozicionohet mes Diellit dhe Tokës, me ç’rast një pjesë e sipërfaqes tokësore eklipsohet nga Hëna.

Edhe qytetarët nga Kosova e Shqipëria mund të shohin eklipsin e pjesshëm të Diellit që do të fillojë në orën 11:26 dhe do të zgjasë deri në 13:41. Kjo nuk do të rezultojë në ndonjë ndryshim të dukshëm në nivelet e ndriçimit gjatë ditës.

Qytetarët e Prishtinës mund ta vrojtojnë këtë fenomen nga teleskopët e Astronomy Outreach of Kosovo që janë të dizajnuara ekskluzivisht për vrojtimin e Diellit, të cilat do të vendosen tek sheshi "Skendërbeu" në Prishtinë. Po ashtu nga kjo organizatë do të shpërndahen syze solare falas për të gjithë pjesëmarrësit.

Pjesë të ndryshme të botës do të shohin përqindje të ndryshme të diellit të mbuluar. Shtrirja më e madhe e eklipsit ndodh në pjesë të Rusisë, kur më shumë se 80% e sipërfaqes së diellit do të mbulohet ndërsa dielli perëndon për në mbrëmje.

Më e rëndësishmja, mos përdorni kurrë asnjë pajisje optike për të parë drejtpërdrejt diellin. Edhe shikimi me sy të lirë mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm në shikimin tuaj. Përdorni pajisjet e eklipsit që mund të blihen në internet, por sigurohuni që ato të shfaqin ose standardin e sigurisë ISO 12312-2 ose të jenë të certifikuar CE.

/Motilokal.com