BE-ja ndihmon me 80 milionë euro Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike

BE-ja ndihmon me 80 milionë euro Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike

Komisioni Europian (KE) do t'i japë qeverisë së Shqipërisë një ndihmë buxhetore emergjente prej 80 milion eurosh për të përballuar krizën energjetike, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur vetë presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të mbajtur gjatë vizitës zyrtare që ajo zhvilloi në Tiranë, të enjten, (27.10).

Kjo ndihmë do t'i vihet në dispozicion qeverisë pas dy muajve, në janar 2023. Presidentja e KE, vuri në dukje që "Rusia po përdor energjinë si armë, po manipulon tregjet dhe energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe çmimet e larta stratosferike”.

"Ne, në BE, kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anën e unitetit dhe solidaritetit. Me krizën energjetike do të përballemi të gjithë sëbashku, kjo do të thotë unitet dhe solidaritet edhe me Shqipërinë. Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë, prandaj ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve të larta të energjisë për bizneset, familjet dhe qytetarët. Fjala është për një grant prej 80 milionë eurosh, që do të vijë në janar. Pjesa e dytë e mbështetjes do të jetë afatmesme dhe afatgjatë. Po flasim për 500 milionë euro grante për investime në infrastrukturën energjetike në të gjithë rajonin”, tha Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Rama , të zhvilluar në Tiranë.

/Motilokal.com