Asnjë automjet i ri me motor me djegie nuk do të shitet në Bashkimin Evropian duke nisur nga viti 2035, pasi negociatorët në Parlamentin Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje, njoftoi presidenca çeke e BE-së.
Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e BE-së tha se negociatorët nga vendet anëtare, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian ranë dakord që prodhuesit e veturave duhet të arrijnë një ulje 100% të emetimeve të CO2 deri në vitin 2035.
Ndalimi është pjesë e paketës së BE-së për ndryshimet klimatike të quajtur “Fit for 55”, që synon të reduktojë emetimet që dëmtojnë klimën me 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, dhe të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
“Sapo kemi përfunduar negociatat për nivelet e CO2 për veturat”, shkroi në Twitter eurodeputeti francez Pascal Canfin, i cili kryeson komisionin mjedisor të Parlamentit Evropian.
“Vendimi historik i BE-së për klimën, i cili konfirmon përfundimisht objektivin e automjeteve me emetim 100 për qind zero emetime deri në vitin 2035 me faza ndërmjetëse midis 2025 dhe 2030”.
Veturat aktualisht përbëjnë 12% të të gjitha emetimeve të CO2 në bllokun e BE-së, ndërsa transporti në përgjithësi zë rreth një të katërtën.
Shtetet anëtare të BE-së tani duhet ta miratojnë rregulloren në ligjin kombëtar.
Nuk kishte plane për ndalimin e drejtimit të automjeteve me motorë me djegie. Në vend të kësaj, shpresohet se të gjitha këto përfundimisht do të zëvendësohen me automjete elektrike.
/Motilokal.com
