Moti ekstrem, çfarë ndikimi pritet të ketë në sektorin e bujqësisë?!

Moti ekstrem, çfarë ndikimi pritet të ketë në sektorin e bujqësisë?!

Ka disa që gëzohen nga goditjet e frikshme të një stuhie dhe ka të tjerë që nxitojnë të strehohen. Pavarësisht nga pikëpamjet personale, nuk ka dyshim se moti ekstrem mund të ketë efekte të thella në ekonomitë lokale, kombëtare dhe globale. A janë këto efekte pozitive apo negative? E po, varet.

Sipas studimeve ndryshimi i klimës mund të ndikojë në 22 sektorë të ndryshëm të ekonomisë në dy skenarë të ndryshëm: nëse temperaturat globale do të rriteshin 2.8˚C nga nivelet para-industriale deri në vitin 2100. Studimi parashikoi se nëse mbizotëron skenari i temperaturës më të lartë, ndikimet e ndryshimeve klimatike në këta 22 sektorë mund të kushtojnë miliarda dollarë çdo vit.

Disa studime tregojnë se Ballkani, dhe sidomos pjesa mesdhetare e tij, pritet të goditen nga ndryshimet klimatike, të cilat do të shkaktojnë rritje të temperaturave, pakësim të reshjeve totale vjetore.

Një ndikim shumë i dëmshëm për bujqësinë është rritja e ndjeshme e fenomeneve ekstreme klimatike, si temperatura ekstreme (të larta apo të ulëta), reshjet e dendura në formë shtrëngatash që shkaktojnë përmbytje, erozioni i tokave bujqësore, thatësira të tejzgjatura, etj. Këto fenomene kanë ndikime të drejtpërdrejta në prodhimin bujqësor.

Po ashtu, ndryshimi i klimës ka shumë të ngjarë të ndikojë në sigurinë ushqimore në nivel global, rajonal dhe lokal. Ndryshimi i klimës mund të prishë disponueshmërinë e ushqimit, të zvogëlojë aksesin në ushqim dhe të ndikojë në cilësinë e ushqimit.

Me një fjalë fatkeqësitë natyrore mund të shkaktojnë shumë dëme dhe kërkojnë shumë para për t'u rikuperuar.

Tashmë edhe në Kosovë, Shqipëri dhe rajon po shohim ndikimet e ndryshimit të klimës në ekonomi e sidomos në sektorin e bujqësisë.

Në Kosovë pothuajse për çdo vit apo sezon shkaktohen dëme të konsiderueshme në bujqësi nga kushtet atmosferike si reshjet e dendura të shiut, breshri dhe erërat e forta.

Rajoni i Rahovecit njihet si bahçja e Kosovës, ku pothuajse çdo kulturë bujqësore kultivohet në këtë pjesë të vendit, po ashtu është më i prekuri nga dëmet që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.

Por, pothuajse çdo vit qindra hektarë tokë bujqësore preken nga fatkeqësitë natyrore në Kosovë.

Për të kuptuar më shumë rreth dëmeve, të cilat i shkakton moti në Kosovë, Motilokal kërkoi përgjigje nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas tyre për këtë vit ende nuk janë mbledhur të gjitha  raportet nga komunat për dëmet në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, konkretisht Komisioni për vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë është duke i pranuar raportet nga komunat e vendit të cilat kanë pasur dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore. Deri në momentin e shqyrtimit të të gjitha raporteve nuk mund të dijmë se sa është sipërfaqja e dëmtuar në nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e MBPZhR-së për Motilokal.

Në njoftim thuhet se MBPZhR-ja ka ndarë fondin e saj buxhetor prej rreth 3 milionë Euro për kompensimin e dëmeve edhe për vitin 2022, përmes së cilit synohet të mbështeten fermerët në mbarë vendin të cilët pësojnë dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore.

“MBPZhR-ja është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunat e Kosovës, të cilave edhe ua kemi përcjellë kërkesën për kompletimin e raporteve, të cilat pastaj duhet t’i dorëzojnë në MBPZhR, përkatësisht tek Komisioni për vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë”, deklaruan për Motilokal.

Prof. dr. Imer Rusinovci në një prononcim për Motilokal.com theksoi se prodhimtaria bujqësore është e varur nga kushtet klimatiko-tokësore në mënyrë të drejtpërdrejt, pavarësisht ndërhyrjeve agroteknike dhe gjenetike që bëjnë fermerët gjatë periudhës vegjetative.

Ai tha se kur konditat klimatike, tipat e tokave përkatës dhe agroteknika e duhur janë të favorshme, pa dyshim që prodhimet nuk mungojnë.

Profesor Rusinovci për Motilokal tha se kushtet klimatike në përgjithësi dhe lagështia në veçanti shpeshherë kufizojnë prodhimet e planifikuara që aspirojnë t’i realizojnë fermerët.

Ai përmendi disa kultura të cilat nuk i realizojnë potencialet prodhuese për shkak të mungesës së lagështirës.

“Sasia e reshjeve që bie në Kosovë nuk është e vogël, porse shpërndarja e tyre (reshjeve) nuk karakterizohet me uniformitet gjatë muajve të verës. Misri, patatja, luledielli apo kulturat e tjera industriale, shpeshherë nuk i realizojnë potencialet e tyre prodhuese, për shkak të mungesës së lagështisë, sidomos gjatë muajve korrik dhe gusht. Në regjionet ku ka mundësi të zbatohet ujitja gjatë këtyre muajve arid (të thatë) rekomandohen norma të caktuara të ujitjes, konform kërkesave të bimëve, ndërsa në regjionet aride ku mungon ujitja, prodhimi varet në mënyrë të drejtpërdrejt nga prania, përkatësisht mosprania e lagështisë. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse në shumicën e rasteve nuk realizojmë prodhim të kënaqshëm në shkallë vendore”, u shpreh profesor Rusinovci.

Tutje ai shtoi se gjatë viteve të fundit edhe ç’rregullimet klimatike koinciduan me ngritjen e temperaturave në nivel botëror, si pasojë e ngrohjes globale. Kjo po shkakton spërkatje të kulturave bujqësore, dukuri kjo që po na manifestohet me të madhe edhe në vendin tonë te kulturat strategjike gjatë qershorit nga e ashtuquajtura “vala e nxehtë”, e cila dukuri po na i redukton planifikimet e prodhimeve.

A duhet të ketë Kosova strategji se si të ballafaqohet me rreziqet që i kanosen nga ndryshimet klimatike?

Për profesor Rusinovcin qeveria e Kosovës përkatësisht dikasteri i bujqësisë duhet ta ketë një planifikim të detajuar sipas zonave prodhuese.

“Konsideroj se në nivel vendi duhet të funksionalizohen sa ma shumë shërbimet ekstensioniste (këshillimore) që regjionet prodhuese të orientohen në mbjelljen e kultivarëve apo hibrideve që përkojnë me lartësinë mbidetare të zonave të caktuara sipas lartësive mbidetare të zonave të caktuara”, tha prof. Rusinovci.

Sipas tij një rajonizim i drejtë për regjionet tona prodhuese sipas lartësive mbidetare, ekspozicionit të terreneve, shumës vjetore të temperaturave dhe reshjeve, insolacionit, relievit dhe kritereve të tjera të regjionit përkatës, konform gjatësisë së periudhës vegjetative të kultivarëve ose përkatësisht hibrideve të specieve (llojeve) të caktuara bimore, pa mëdyshje se do të ishte përparësi e  veçantë për një bujqësi më të qëndrueshme në këtë kohë të çrregullimeve klimatike.

/Motilokal.com