Norma të reja ndaj ndotjes, Komisioni Evropian propozon paketën e re për automjetet

Norma të reja ndaj ndotjes, Komisioni Evropian propozon paketën e re për automjetet

Komisioni Evropian propozoi norma të reja kundër ndotjes për gjeneratën e fundit të makinave me karburant djegës, që pritet të mbeten në rrugët evropiane edhe pasi blloku të kalojë tek mjetet elektrike në 2035-n. Paketa “Euro 7” do të aplikohet për të gjitha veturat, furgonët, kamionët dhe autobusët.

“Propozimet tona do të bëjnë diferencën sepse në 2035-n, falë këtyre normave, emetimet nga mjetet e lehta do të reduktohen me 35% krahasuar me nivelin aktual. Ndërsa për automjetet e rënda, rënia do të jetë më shumë se 50%, ndaj kemi një sfidë të madhe përpara”, tha Thierry Breton, komisioner i BE për Tregun e Brendshëm, shkruan euronews.

Propozimet duhet të pranohen nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare që të hyjnë në fuqi në korrik të 2025-s për veturat dhe furgonët. Ligjvënësit evropianë dhe shtetet anëtare arritën muajin e kaluar një marrëveshje për të ndalur shitjen e këtyre mjeteve me gaz dhe dizel brenda 2035-s.

/Motilokal.com