Ekipet e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës evakuojnë me sukses një bjeshkatar të lënduar në Malet e Sharrit

Ekipet e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës evakuojnë me sukses një bjeshkatar të lënduar në Malet e Sharrit

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se sot ka pranuar një thirrje për ndihmë nga një grup i bjeshkatarëve, të cilët ishin në masivin e majës së Bistrës në Prevallë.

Sipas njoftimit thuhet se gjatë kthimit një nga bjeshkatarët pas një rrëshqitje kishte pësuar lëndime në këmbë dhe nuk kishte mundësi të vazhdonte kthimin më duke ecur.

ShKShMK tregon se shpëtuesit malor menjëherë aktivizohen duke u organizuar dhe koordinuar për fillimin e operacionit të shpëtimit.

Komunikata e plotë:

Me datën 13.11.2022 në ora 14:20 Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës pranon një thirrje për ndihmë nga një grup i bjeshkatarëve, të cilët ishin në masivin e majës së Bistrës - Prevallë dhe gjatë kthimit një nga bjeshkatarët pas një rrëshqitje kishte pësuar lëndime në këmbë, dhe nuk kishte mundësi të vazhdonte kthimin më duke ecur.

Shpëtuesit malor menjëherë aktivizohen duke u organizuar dhe koordinuar për fillimin e operacionit të shpëtimit.

Pas lokalizimit të vendaksidentit dhe koordinimit të shkëlqyer me policinë e Kosovës pa u vonuar fillon operacioni.

Me të arritur në vendaksident i jepet ndihma e parë të lënduarit, mobilizohet këmba e lënduar dhe fillon evakuimi në drejtim të Prevallës.

Evakuimi është realizuar me barelë dhe një pjesë e shkurtër me automjet terreni4x4.

Në Prevallë i lënduari dorëzohet tek personeli mjekësor i spitalit rajonal të Prizrenit.

Operacioni përfundon në ora 20:22.

Falënderojmë përzemërsisht Togun e Kërkim-Shpëtimit Malor të FSK-së të cilët me të marrë mesazhin nga organet relevante janë nisur në operacion, por fatmirësisht operacioni ka përfunduar pa asnjë vonesë apo problem.

Gjithashtu falënderojmë edhe policinë e Kosovës të cilët janë të shkëlqyer në bashkëpunim dhe detyrë,dhe bjeshkatarët e tjerë që na ndihmuan që ky operacion të jetë i suksesshëm.

Vëmendje:

Tani kemi hyrë në sezonin dimëror, malet ndryshojnë duke ju shtuar rreziqet.

Luten të gjithë bjeshkatarët që të kenë kujdes të shtuar në planifikimin e aktiviteteve të tyre, veshmbathje dhe pajisje të domosdoshme konform terrenit dhe kushteve se ku i zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Për informata dhe këshilla mos hezitoni të na kontaktoni.

Qëndroni brenda limiteve të sigurisë tuaj!

/Motilokal.com