Japonia do të investojë 500 milionë dollarë për të prodhuar çipa të avancuar

Japonia do të investojë 500 milionë dollarë për të prodhuar çipa të avancuar

Japonia do të investojë afro 500 milionë dollarë për të rritur zhvillimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve në një përpjekje që të kapë "shansin e fundit" që të mbajë pozitën e saj si lojtar kryesor në skenën globale të teknologjisë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, kompania e re Rapidus që do të thotë "i shpejtë" në latinisht, do të punojë në zhvillimin e gjysmëpërçuesve të gjeneratës së ardhshme ose "post-5G".

Këto çipa të avancuar do të mundësojnë vegla inteligjente dhe qytete inteligjente me sensorë dhe transmetim me shpejtësi të lartë. Komponentët duhet të jenë jashtëzakonisht të hollë - sa një qime.

Përpjekja prej 70 miliardë jenësh (490 milionë dollarë) do të përfshijë bashkëpunimin e ngushtë me aleatin kryesor të Japonisë, SHBA-në për të mbledhur "më të mirët dhe më të zgjuarit" nga të dy vendet, thuhet në deklaratën e ministrisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Japonia prej kohësh ka qenë krenare si fuqi teknologjike, përfshirë prodhimin e çipave, por ministria pranoi sot se Japonia kishte mbetur 10 vjet prapa konkurrencës globale, duke përfshirë SHBA-në, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe disa vende evropiane.

Tani është "shansi i fundit i Japonisë" për të mbetur si lojtar në këtë sektor, thuhet më tej.

Mbylljet e fundit në Kinë në lidhje me pandeminë e COVID-19 kanë nxjerrë në pah varësinë e Japonisë nga vendet e tjera për çipat kompjuterikë dhe komponentët e tjerë të rëndësishëm. Analistët thonë se e ardhmja e pasigurt e marrëdhënieve SHBA-Kinë, e cila mund të vë në rrezik furnizimet nga Kina, shton edhe më tej shqetësimet.

Kompanitë e përfshira në Rapidus janë prodhuesi i automjeteve Toyota Motor Corp., prodhuesit e elektronikës Sony Group Corp. dhe NEC Corp., së bashku me SoftBank Corp., Nippon Telegraph dhe Telephone Corp., Denso Corp si dhe Kioxia.

Çipat e gjeneratës së ardhshme pritet të jenë vendimtare për inteligjencën artificiale dhe sistemet e drejtimit të automatizuar. Investimet në këtë lloj teknologjie do të çojë në vende pune dhe rritje, sipas qeverisë japoneze.

/AA/Motilokal.com