Mbillen fidane në qytetin e Shkupit

Mbillen fidane në qytetin e Shkupit

“Sot, përmes mbjelljes simbolike të fidanëve këtu në parkun e qytetit në Shkup, dua që së bashku të kujtojmë rëndësinë dhe rolin e gjelbërimit urban në cilësinë e jetesës sonë. Gjelbërimi urban luan një rol të rëndësishëm në pastrimin e ajrit, i cili veçanërisht në këtë periudhë të vitit, pritet të jetë nën presion të madh për shkak të vendndodhjes së kryeqytetit, urbanizimit të intensifikuar, tashmë edhe për shkak të krizës energjetike. Gjelbërimi duhet të ruhet, mirëmbahet dhe të zgjerohet kudo që është e mundur, duke përfshirë edhe shtëpitë tona”, u shpreh Naser Nuredini ministëri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut.

Tutje ai theksoi: “Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe të apeloj deri tek qytetarët dhe institucionet, që të jemi të ndërgjegjshëm duke treguar aftësinë për t’u përshtatur. Le të bëjmë zgjidhje të zgjuara jo vetëm në mënyrën e ngrohjes, duke zgjedhur lëndë djegëse më efikase për mjedisin jetësor, por edhe në përdorimin e mençur të automjeteve dhe asgjësimin e duhur të mbeturinave si faktorë kyç të ndotjes, sepse në fund të ditës të gjithë e thithim ajrin e njëjtë”.

“E drejta për një mjedis jetësor të pastër dhe të shëndetshëm është e drejta jonë, por edhe detyrim i secilit prej nesh ndaj mjedisit ku jetojmë”, tha ministri Nuredini në aksionin e sotëm të mbjelljes së fidanëve në parkun e qytetit në Shkup, donacion i shoqatës civile Eko-ndërgjegjësimi me rastin e shënimit të 20 vjetorit të themelimit.

Aksionit iu bashkuan edhe përfaqësues nga Ambasada Suedeze, të cilët janë partnerë afatgjatë në aktivitetet për mbrojtjen e ajrit të ambientit, si dhe përkrahje të këtij aksioni i dha edhe NP “Parqe dhe Gjelbërim”, të cilët do të kujdesen tutje për gjelbërimin e rinovuar në park.

/Motilokal.com