Mete: Faktorët mjedisorë duhen bërë pjesë e politikave financiare

Mete: Faktorët mjedisorë duhen bërë pjesë e politikave financiare

Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha këtë të mërkurë se në Shqipëri ka iniciativa dhe obligimet e gjelbra janë një mundësi e mirë investimi.

Deklaratën ai e bëri në konferencën ndërkombëtare për mundësitë ekologjike për sektorin financiar në Shqipëri.

“Sektori financiar ka rol kyç në financimet pro mjedisit. Financimet e gjelbra, trend evropian dhe botëror. Ka iniciativa në Shqipëri, por dhe hapësira për shumë më tepër. Obligacionet e gjelbra, alternativë e mirë investimi. Faktorët mjedisorë duhen bërë pjesë e politikave financiare”, u shpreh Mete.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se një nga politikat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria përballë sfidave të kushteve klimaterike është nisma që Shqipëria i është bashkuar koalicionit global për uljen e CO2 në mjedis.

E pranishme në Konferencën Ndërkombëtare për Mundësitë Ekologjike për Sektorin Financiar në Shqipëri të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ambasada zvicerane dhe Banka Botërore, Kumbaro tha se, “Shqipëria është zero ndotëse për ngrohjen globale në raport me vende te tjera”.

Gjithashtu vijoi ajo, Shqipëria ka përmbushur përshtatjen e aspektit ligjor sipas standardeve më të mira përsa përket mbrojtjes nga ndryshimet klimaterike.

Në këtë aspekt vijoi Kumbaro përparësi ka marrë edhe zgjerimi i Zonave të Mbrojtura.

“Ne sot kemi rritur nga 17 deri në 21.5% në territorin e Zonave të Mbrojtura ndërsa do të mbajmë angazhimin për rritjen e këtyre sipërfaqeve”, tha ministrja.

Ajo vuri fokusin në bashkëpunimin me institucionet financiare për investime të gjelbra që mbrojnë mjedisin dhe i përgjigjen impaktit të strategjisë së gjelbër që tashmë Shqipëria e ka hartuar me fokus sfidat e posaçme që adreson ndryshimet klimaterike.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së saj në konferencë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, theksoi se përmes një strategjie afatmesme synojmë të përfshijë praktikat e gjelbra të procesit të Ministrisë së Financave me mbështetje të Bankës Botërore.

“Ne komponentin green do ta përfshijmë edhe në gjithë kurrikulat e arsimit profesional. Ofrimi i garancive për investitorët e mundshëm do jetë gjithashtu një nga objektivat tona afatmesme. Gjithashtu jemi duke punuar për përfarimin e politikave fiskale dhe buxhetore”.

Nga ana tjetër, bën me dije ajo, “do të punojmë për forcimin e institucioneve publike që të jemi të gatshëm për t’u përgjigjur sfidave të gjelbra”.

“Do doja të theksoja rëndësinë që ka puna jonë e përbashkët në dobi të brezave të ardhshëm”. 

/Motilokal.com