Disa arsye pse na flihet më shumë kur bie shi

Disa arsye pse na flihet më shumë kur bie shi

Gjumi gjatë ditëve me shi është më i thellë dhe më qetësues, kanë bërë me dije ekspertët shëndetësorë. Kjo është ndër arsyet që kur moti është me reshje shiu kemi më tepër dëshirë të qëndrojmë në shtrat. Megjithatë, janë edhe një varg arsyesh që shiu ndikon në gjumin tonë.

Shi dhe humor i keq

Biologjia është plot me shpjegime se pse ndihemi kaq të përgjumur kur bie shi. Për shembull, shkenca ka konfirmuar vazhdimisht se ekziston një lidhje midis motit dhe gjendjes sonë emocionale.

Një studim i vitit 2011 konfirmoi se nëntë për qind e njerëzve zemërohen më lehtë kur bie shi dhe të njëjtat situata të jetës nuk i shqetësojnë ata në atë masë gjatë ditëve me diell.

Kjo situatë ka të bëjë me rrezatimin ultravjollcë, ose mungesën e tij. Ashtu si shumica e gjallesave, njerëzit kanë nevojë për dritë për të funksionuar. Është vërtetuar se rrezet e diellit rritin nivelin e serotoninës, hormonit të lumturisë që na mungon gjatë ditëve me shi.

Drita e zbehtë gjithashtu stimulon gjëndrën pineale për të prodhuar melatonin, një hormon që rregullon ritmin e lartpërmendur cirkadian. Kur melatonina rritet, ne natyrshëm ndihemi të përgjumur. Kjo është arsyeja pse njerëzit që vuajnë nga pagjumësia e përdorin këtë hormon si terapi.

Fajtori për përgjumjen tonë kur bie shi është lagështia. Në ditët kur shiu e bën ajrin të rëndë dhe ngjitës, lagështia mund të jetë dobësuese për mekanizmat e trupit për t'u ftohur, thotë Michelle Drerup, MD, drejtore e mjekësisë së gjumit të sjelljes në Klinikën Cleveland.

Ajri i rënduar

Në një ditë më shi, ajri është nën presion më të ulët dhe i mbushur me avuj uji. Këta dy faktorë ulin nivelet e përgjithshme të oksigjenit në ajër, duke e bërë trurin tonë më të lodhur. Shiu gjithashtu shkakton rritje të joneve negative në ajër, grimca të ngarkuara negativisht që vijnë nga fërkimi mes shiut dhe ajrit. Këto jone mund të përmirësojnë ndjeshëm sistemin nervor, kardiovaskular dhe të frymëmarrjes, duke i ndihmuar njerëzit të ndihen më komod dhe të relaksuar. Kjo ndihmon kur doni të flini, por jo kur përpiqeni të përqendroheni në punë.

Zhurma e shiut

Tingulli ritmik i shiut mund të jetë një ninullë jashtëzakonisht e mirë për njerëzit që përpiqen të flenë. Disa studime kanë treguar se zhurma e shiut në fakt shkakton që truri të relaksohet në mënyrë të pavetëdijshme, duke e shtyrë atë drejt një gjendjeje të përgjumjes.

Gjërat e vogla që ndihmojnë

Nëse vendosim të rrimë gjithë ditën para televizorit sepse bie shi dhe të mos bëjmë asgjë, do të jemi edhe më të përgjumur dhe të dëshpëruar.

Nëse detyrimet tona të përditshme na lejojnë ta kalojmë ditën kështu, duhet ta përqafojmë dhe ta shijojmë. Nëse ende nuk mund ta përballoni këtë luks, mund të lexoni më poshtë disa këshilla që do t'ju ndihmojnë të mposhtni këtë ndikim të ditëve me shi.

Edhe pse nuk tingëllon si zgjedhja numër një, veçanërisht në një ditë të zymtë dhe të ftohtë, një stërvitje e shkurtër, është mënyra më e mirë për të mposhtur përgjumjen nga shiu.

Nëse ndiheni të përgjumur në punë, largohuni nga tavolina juaj, bëni një shëtitje dhe bisedoni me kolegët tuaj. Mënyra më e mirë është të ecësh me një koleg për disa minuta, me një bisedë dhe një kafe. Në këtë mënyrë do ta çrrënjosni shpejt dhe lehtë ndjenjën e rëndë që ju ka pushtuar.

Kaloni kohë jashtë. Pavarësisht se është e vrenjtur dhe e zymtë, drita sërish do të ketë një efekt pozitiv tek ju. Dilni në tarracë dhe merrni disa minuta për të marrë frymë në ajër të pastër. Një dhomë e mbyllur dhe e errët është armiku më i keq.

/Motilokal.com