Motilokal.com dhe Dukagjini me marrëveshje për transmetim televiziv

Motilokal.com dhe Dukagjini me marrëveshje për transmetim televiziv

Motilokal.com po vazhdon me sukses të dëshmojë se është lider në parashikimin e motit për të gjitha qytetet e trojeve shqiptare.

Përveç shtrirjes në platformën online, Motilokal.com së shpejti do të nis transmetimin edhe në TV Dukagjini.

Një marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar në mes dy mediumeve ku qëllimi kryesor mbetet që qytetarët të informohen sa më saktë me parashikimin e motit.

Lidhur me marrëveshjen zv/drejtori i përgjithshëm i RTV Dukagjini, Dardan Belegu u shpreh: Transmetimi i motit në TV Dukagjini është një hap i mirë për informimin e qytetarëve me parashikimin e motit. Motilokal.com tashmë është bërë dritare e qytetarëve të të gjitha qyteteve të trojeve shqiptare sa i përket parashikimit të motit”, u shpreh Belegu. Ai gjithashtu e siguroi audiencën e tij se ky transmetim do të vjen krejtësisht ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim. "Parashikimi i motit do të përshkohet me një mënyrë krejtësisht tjetër nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim. Transmetimi do të shoqërohet nga risitë e fundit të teknologjisë së televizionit.", siguroi z. Belegu.


Ai theksoi se tashme gjithçka është finalizuar dhe pritet që të startojë në ditët e para të vitit që po vjen.

Ndërsa drejtori i portalit motilokal.com, Besart Gërguri u shpreh: “Jam i gëzuar për arritjen e kësaj marrëveshjeje kur kemi parasysh vizionin e një televizioni në rritje si TV Dukagjini. Pas suksesit në platformën online, tani Motilokal.com do të jetë pranë çdo familje kosovare për të marrë informacionin më të saktë të motit për të gjitha qytetet e trojeve shqiptare.”

Sipas z. Gërguri kjo marrëveshje do t'i shtyjë e më tutje në zhvillimin e Motilokal.com, i cili është konfirmuar si më i besueshmi në tërë gjeografinë shqiptare./Motilokal.com