Hapet Panairi i veturave në Los Anxhelos, ku e ardhmja elektrike po shfaqet për publikun

Hapet Panairi i veturave në Los Anxhelos, ku e ardhmja elektrike po shfaqet për publikun

Një nga panairet më të mëdha të veturave në botë ka hapur dyert në qytetin Los Anxhelos të Kalifornisë. Tematika e këtij viti është automjetet e teknologjisë së lartë dhe elektrike. Ekspertët e industrisë thonë se e ardhmja i përket industrisë së automobilave elektrikë.

Mbi një mijë automjete janë ekspozuar në panairin e këtij viti në qytetin Los Anxheles, ndërsa ngjarja feston 115 vjetorin. Ricardo Rodriguez-Long është me fondacionin “Hispanic Motor Press”.

“Panairi i ofron mundësi konsumatorëve që të shohin dhe prekin të gjitha veturat e reja që po dalin në treg dhe të mësojnë mbi teknologjitë që kanë këto vetura”.

Eksperti i kësaj industrie, Ricardo Rodríguez-Long, thotë se prodhuesit e veturave po përqendrohen tek automjetet më miqësore me mjedisin, duke reaguar ndaj kërkesave të konsumatorëve dhe agjencive rregullatore.

“Po rritet prirja për veturat elektrike dhe gjithashtu tjetërsimi i të gjitha modeleve motorike. Pothuajse të gjitha kompanitë prodhojnë vetura me motor me djegie të brendshme, por kanë edhe vetura hibride dhe elektrike”.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Kaliforni, një prej tregjeve më të mëdha të veturave në botë. Kalifornia ka caktuar vitin 2035 si kufirin kur në atë shtet nuk do të lejohet shitja e veturave që ndotin mjedisin.

“Kemi arritur një pikë kthese të adoptimit të veturave elektrike”, tha Octavio Navarro, ekspert i industrisë automobilistike.

“Para dy vitesh ndoshta 20 modele ishin në treg ndërsa sot kemi mbi 40 të tilla. Kemi një shumëllojshmëri automjetesh elektrike, që nga veturat e vogla e deri tek kamionët”, thotë ai.

Kompani Ford po ekspozon modelin elektrik Mach E. Dodge ka sjellë në panair modelin Charger Daytona SRT. Në panair marrin pjesë edhe firmat Volvo dhe Kia.

Kompania luksoze Porsche po konkuron në tregun e veturave elektrike. Në treg është përfshirë edhe firma vietnameze VinFast me dy vetura elektrike në përpjekje për të tërhequr vëmendjen.

Por Hyperion’s XP-1 Hypercar, që ka shfrytëzuar teknologjitë H2 nga NASA, makinë elektrike dhe hidrogjen, mund të karikohet brenda 5 minutash dhe kushton 2.5 milionë dollarë.

“Këto janë automjete ekstravagante dhe padyshim që ka treg sepse është provuar më parë nga Lamborghini dhe Ferrari. Kjo makinë futuristike ka një shpejtësi marramendëse dhe 2 mijë kuaj fuqi, është pothuajse si një raketë”, theksoi eksperti Ricardo Rodriguez-Long.

Në panair janë ekspozuar shumë modele me kosto më të ulët, që nga firmat e njohura si Toyota. Pavarësisht nga madhësia e automjeteve, modeleve dhe përdorimit, panairi është tregues i qartë se e ardhmja u përket veturave elektrike.

/VOA/Motilokal.com