Të jesh fotograf i ‘botës së gjelbër’

Të jesh fotograf i ‘botës së gjelbër’

Nga Albert Krasniqi

Të jesh fotograf i botës së egër, nuk ka të bëj aq me fotografinë sa ka të bëj me dashurinë ndaj natyrës dhe krijesave që jetojnë në të, e që shumë prej nesh as që i njohim. Si fotograf i natyrës qëllimi është që t’ju tregoj sa të mrekullueshme dhe të bukura janë ato.

Me të arritur në Parkun e Gërmisë, që ndonjëherë shfrytëzojë autobusin urban, e ndonjëherë kombin tim, ndalem në ulësen e drurit ku edhe e filloj përgatitjen. Nga çanta nxjerr mbrojtëset e gjunjëve, P-spray e bërë nga vet unë me speca të djegës dhe alkool që në fakt se kam idenë që mund të funksionoj. Gjithashtu, sigurohem që me vete ta kam edhe sëpatën. Me t’u nisur, ndalem edhe një herë ta testoj aparatin (shpejtësinë e fotografisë, aperture ISO) dhe tani jam gati që t’i hedh hapat e parë duke i ngulitur një shikim nga larg parkut të veshur me ngjyrat e bukura të vjeshtës. Oh, sa të mrekullueshme që janë!


Vendimin për të ecur në pjesën veriore apo jugore të parkut e mora shpejt. Ana jugore ka më shumë aktivitete të shpendëve dhe andej ia mësyva. Me t’u afruar parkut siç ma mori vëmendjen kënga e bukur e Garaldinës, një zog shumë i bukur, që asnjëherë nuk arrita t’ia bëj një foto për qejfi. Arsyeja? Gardalinat mbajnë distancë të madhe, prandaj kapen më vështirë, por sot ndihem i lumtur dhe kam një avantazh, pasi që me vete kam një lens 600mm të dhuruar nga miku im, Liridoni, me një çmim krejtësisht simbolik. Hapat e mi të ngadaltë dhe të qetë i afrohen një pellgu me shkurre dhe shelgje. Aparatin e mbaj në gjendje gatishmërie, sepse përvoja më ka mësuar që shpendët nuk duhet t’i zësh në befasi dhe mendimi se do fshehësh dhe nuk të shohin është i gabuar.

Image may contain: bird

Shpendët janë të vetëdijshëm për çdo gjë që i rrethon, prandaj duhet të bëjmë hapa të shkurtër, pa lëvizje të shpejta dhe duke qëndruar në vend pa lëvizur. Në këtë mënyrë krijohet një përshtypje se nuk je kërcënim për ta, prandaj kështu dhe veproj. Përsëri bëj pak hapa dhe ndalem me shpresë që do të zë një pozicion më të mirë për të fotografuar dhe ndalem me një vend ku shikimi është mjaft i mirë.

Image may contain: bird, sky and outdoor

Deri sa fokusoj degët e pemëve objektivi i aparatit kap Gjelbëroshen, një tjetër zog tepër të bukur, të cilën nuk e kam në koleksionin fotografive për qejfi. Dëshira për ta fotografuar Gjelbëroshen më shtyu ta kërkoj atë e jo Gardalinën pasi është më e rrallë. Fokusi i kamerës kap disa lëvizje në degët e pemëve dhe befas futet sqeptrashi. WOW thashë me vete çfarë dite me fat sot. Një zog tepër i rrallë dhe shumë i bukur që në Gërmi jeton thellë në pyje dhe fshihet nga njerëzit. Vetëm në një foto kam arritur ta kapja, edhe atë nga larg aq sa ta kem si dëshmi që jeton në Parkun e Gërmisë dhe asnjë më shumë. Kam kohë që e kërkoj dhe sot kjo është një mundësi e mirë.

Image may contain: bird and plant

Tashmë e harrova edhe Garaldinën edhe Gjelbëroshen për këtë zog, të cilin e quaj Papagalli i Evropës. Nga entuziazmi dhe dëshira për fotografi më të mirë e bëj edhe një hap të ngadaltë duke mos e larguar syrin nga kamera. Dhe fatkeqësisht këmba ime shkeli në një degë të thatë, e cila thyhet dhe kërcet. Të gjithë zogjtë ikën në pyllin halor. Çfarë bëra?! Shikoja fluturimin e saj që në fluturim duket  i vogël. Ofshaj me zë duke qortuar veten për hapin që nuk do të duhej ta bëja. Shpresoj që të shoh afër prapë miku im. Nuk desha të humbas kohë më shumë sot këtu, kështu që ecja vazhdon dhe ngadalë afrohem pishinës dhe ma kujton liqenin që ishte aty shumë vite më parë dhe mendoj vallë, çfarë lloj të shpendëve dhe çfarë krijesa kanë jetuar aty?!

Image may contain: bird and outdoor

Askush nuk e di. Betonimi i këtij liqeni ishte njëra nga gabimet më të mëdha dhe të pafalshme që i është bërë këtij parku. Në këtë gjendje, mendja më shkoi te pula e ujit që për herë të parë është parë në Kosovë në prill të këtij viti në Parkun e Gërmisë. Thashë me vete, ndoshta këta janë pasardhësit që kanë folenizuar në atë liqen shumë vite më parë. Nuk i dihet ndoshta nga pak ajo që ka mbetur në fund të pishinës nga liqeni prapë vijnë aty! Por nga zemërimi dhe mllefi thashë me vete sikur të kisha mundësi dhe pushtet, do e shkatërroja të gjithë atë masiv betoni dhe nuk do e kisha lënë as edhe një fije armature. Eh, sa bukur do të dukej! Por në fakt këtë dëshirë nuk do ia tregoj askujt se do të më quanin te çmendur.

Image may contain: bird, sky and outdoor

Një këndim i bukur i një zogu më nxori nga këto mendime. Ktheva kokën të shikoj mbrapa...ja Trishtili i madh dhe Trishtili i kaltër. Bëra disa foto dhe vazhdova ecjen. Shtegut hasa në Trishtilin e zi që është më i rralli ndër trishtilat në Gërmi. Më tutje Zborakësi, Gushëkuqi, Tusha këngëtare, Korbi i hirtë, me të vërtetë kënaqësi. Ecja ime ngadalë ndahet nga shtegu kryesor duke u futur thellë në zemrën e Parkut.

Image may contain: tree and bird

Tashmë zhurma e veturave dhe njerëzve zëvendësohet me këngën e zogjve dhe shushuritjen e gjetheve që bien nga lart si të ishin copëza mozaiku dhe nga larg, dëgjohet (çokitja - trokitja) e një qukapiku. Shtegu pothuajse humb në pyllin e dendur deri sa arrijë te Porta e Qukapikëve.

Kështu e kemi emërtuar ne sepse natyra ka dashur të duket si portë dhe kur futem në të më jep ndjesinë që po futem në një botë tjetër. Në fakt aty edhe shihen më së shumti qukapikët andaj edhe kështu e thërrasim “Porta e Qukapikëve”.

Tashmë jemi në pyllin e ahut, ku në një dru të vjetër e rrëzuar përtokë ulem ta pi kafen e mëngjesit, ndërsa miqtë e mi të pyllit më shoqërojnë me këngën e tyre të bukur. Teksa e shijoj kafen, aparatin e mbaj në gjendje gatishmërie. Askush se di çfarë fsheh pylli dhe çfarë shfaq në moment. Fundja, këtu kam parë edhe një dhelpër që nuk arrita ta fotografoja. Gjersa nga larg dëgjoj klithmën e Qukapikut të Zi, shikimi im futet thellë në pyllin e dendur dhe pëshpëris ngadalë: “Ku fshihesh o Buf? A e di ti që ka kohë që të kërkoj? Zbuloje veten vetëm vetëm për ca shkrepje që dua të t’i bëj që t’u tregoj të tjerëve sa i bukur që je!”

Image may contain: bird, sky, plant and outdoor

Ecja në këtë kohë vjeshte të jep një ndjesi të veçantë, ngjyrat janë të ndryshme dhe gjatë ecjes shpesh ndalem për kërpudhat që tash janë shumë në numër. Ngadalë afrohem të burimi i madh, pak njerëz e dinë këtë burim është thellë në pyll. E gjetëm në dimër dhe nuk kishte shume ujë, por derrat e egër e kanë bërë shumë më të thellë. Këtu e kemi vendosur edhe kamerën kurth gjatë verës. Vinte derri për të pirë ujë dhe për t’u freskuar, ishte hera e parë që e filmuam. Gjithashtu vinin edhe shpezët si: Qukapiku i përhimët, Qukapiku i zi, Qukapiku laroshi i madh, Sqeptrashi, Pëllumbi i malit, Shqiponja buteo ose minjëngrënëse. Gjeraqinën dhe Kukuvajkën e pyjeve që asnjëherë nuk arrita t’i shoh ishte kamera ajo qe i gjeti.

Image may contain: bird and night

Zbritja në shteg ma lehtëson ecjen dhe shpesh takohem me Mëllenjën e zezë, e di që se pëlqejnë për shkak të ngjyrës saj të zezë, por kënga e bukur e saj është jehona e këngës në Parkun e Gërmisë. Arritja te kroi i vogël ku takoj Qukapikun laroshin e vogël, por nuk arrita ta fotografoj.

Kroi i ftohtë nuk është larg dhe ka mjaft ujë. Kemi menduar që edhe aty ta vendosim kamerën kurth me shpresë që do ta kapim bufin, por vendi është i hapur dhe s’ka mundësi të fshihet kamera. Është e pamundur të shkoj në atë pjesë e mos të futem te Ahu i Vjetër, një pyll i vjetër ahu, ku ecja në të më duket si të isha milingonë. Aty është edhe shtrofulla e Qukapikut të zi, më është dashur pothuajse një muaj ta kërkoja deri sa e gjeta. Ende i shikoj Videot me shumë kënaqësi. Ishte hera e parë që u realizua një Video e tillë në vendin tim.

Image may contain: outdoor

Gjersa afrohem te kroi i madh ja edhe Qerri. E dija që do ta takoja aty. I vogël, lozonjar, i zhurmshëm, por dhe krenar me qëndrimin e tij e që shpesh më bën të qesh. Ecjes në Shtegun e Breshkës papritur has në tufën e Mbrethit. Oh, sa të dashur që janë! Mirëpo është vështirë për ta fotografuar ngaqë është zogu më i vogël në Evropë dhe është shumë i gjallë. Çdo përpjekje dështoj, por befas thellë në shkurre shoh dy nga ta në një fidan të një peme qe dukeshin sikur vallëzonin në një shfaqje të bukur teatri. Me pak shpresë që do arrijë t’i afrohem afër, futem në pyllin me shkurre ku ishte e pa mundur të ecja në këmbë andaj vazhdova zvarrë. Tereni ishte i lagësht dhe i rrëshqitshëm. E dija që me kujdes vëzhgonin lëvizjet e mia andaj nuk u përpoqa të fshihem.

Image may contain: tree and outdoor

Me lëvizje shumë të ngadalta arrita pranë tyre dhe derisa ata vazhdonin vallen e tyre, dhe unë isha i vetmi spektator në këtë shfaqje, fillova ‘rafalin’ e shkrepjeve dhe nuk ngopesha dot. Bëra edhe një Video dhe për një moment ndala edhe Videon sepse pata ndjesinë që kjo valle ishte vetëm për mua andaj doja ta shikoja.

Nga kënaqësia që më dhuruan këto dy krijesa aq të vogla u ndjeva aq komod sa nuk e ndjeja qe isha i shtrirë në pyll dhe veshja ime thithte lagështinë dhe të ftohtin. Derisa me vallen e tyre aq të bukur ngadalë humbën në pyllin me shkurre si të ishin zana mali.

Image may contain: outdoor

Një pushim të shkurtër e bëra të ulësja e thellë, kisha nevojë për pak ushqim. Ja Ketri dhe Zvarritësi duke më shikuar me kokë poshtë siç e kanë zakon. Shtegu i breshkës më drejton te kroi i thatë, mandej te syri i parkut, pushimorja e kaltër dhe pushimorja e madhe. Derisa afrohem pyllit me pisha tashmë e di që ecjes time ngadalë po i vije fundi. Në këtë pjesë të pyllit kam një kujtim, jo vetëm kujtim por një mision të pa kryer. Gjersa mundohesha ta fotografoja Trishtilin e zi, edhe pse jo në fokus kapa një zog që dukej ndryshe nga të tjerët e nuk kisha parë të tillë më parë. E kërkova për tre muaj ishin ditë dimri dhe bënte shumë ftohtë. Ecja e ecja, kërkoja e kërkoja dhe asnjëherë nuk e gjeta! E thërras “zogu im”.

Image may contain: bird, plant and outdoor

Mos mendoni që kërkimi im ka marr fund, Unë do të vazhdoj ta kërkoj, do të ec e do të fshihem thellë në pyje duke pritur me durimin e një gjarpri, shikimin e një shqiponje dhe dinakërinë e një dhelpre dhe jo vetëm zogun tim po edhe shumë të tjerë në të gjithë vendin tim.

E di që rruga ime është e gjatë dhe me shumë rreziqe, por si duket natyra e ka zgjedh fatin tim të jem fotograf që të tjerët e quajnë “botës së egër” e unë e pëlqej t’i them i “botës së gjelbër”./Motilokal.com