Veliaj: Platforma elektronike 'eTransport', e ardhmja digjitale e transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve

Veliaj: Platforma elektronike 'eTransport', e ardhmja digjitale e transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve

Transporti publik në kryeqytet pritet të jetë një model në të ardhmen. Ky është synimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë forumit “eTransport” u ndal tek risitë dhe investimet në këtë fushë.

“Duke filluar nga viti tjetër, për të gjithë transportin interurban të juglindjes do të përdoret Terminali Lindor. Ndërkohë, sapo kemi fituar gjyqin e 27-të dhe më në fund do të hapet kantieri te Kthesa e Kamzës, kantieri historik për terminalin e perëndimit, të jugut dhe të veriut. Besoj se ai megaterminal aty, bashkë me shërbimet, duke qenë se është dhe pranë një nyjeje të komunikimit, do na zgjidhë njëherë e mirë çështjet e transportit interurban që futet brenda në Tiranë”.

Kryebashkiaku tha se ka filluar traseja e stacionit të trenit, e cila do të lidhë terminalin perëndimor me Stacionin e Trenit.

Bëhet fjalë për një lidhje të terminalit perëndimor me Stacionin e Trenit, ku linja hekurudhore do të vazhdojë elektrike, apo siç quhet ndryshe “light rail”, pra hekurudha e lehtë, deri ku ka qenë ish-Stacioni i Trenit, tek fillimi i Bulevardit të Ri. Kryeqyteti zë peshën më të madhe të turistëve dhe lëvizjeve në transportin publik.

“Asnjë projekt në nivel kombëtar s’do të kishte vlerë pa Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës është qendra e Shqipërisë. Kemi 9.5 milionë udhëtarë që nisen nga kjo bashki”, tha Blendi Gonxhe.

“Ne kemi pasur 6.5 milionë të huaj në vend. Tirana sivjet ka qenë bum i turizmit dhe me të rinj. Grupmosha nga përgjithësisht që ishin 50 e sipër, turistët e Tiranës sivjet kanë qenë të rinj midis 20 dhe 35 vjeç. Të gjitha këto tregojnë për publik të shtuar, mobilitet, dëshirën për lëvizje”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Gjatë forumit, Veliaj vuri në dukje se paralelisht me modernizimin e këtyre shërbimeve, bashkia ka ecur edhe me subvencionimin, si të qytetarëve, ashtu edhe të operatorëve të transportit urban në kryeqytet që, tashmë me futjen e sistemit GPS, bëhet edhe më e lehtë.

/Motilokal.com