Detari sqeptrashë lloj i ri shpendi për Shqipërinë, vrojtohet në ngushticën e Korfuzit

Detari sqeptrashë lloj i ri shpendi për Shqipërinë, vrojtohet në ngushticën e Korfuzit

Një lloj i ri shpendi është vërejtur në ngushticën e Korfuzit javën e fundit të nëntorit 2022, ka njoftuar Qendra për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për detarin sqeptrashë (Alca torda). Detari sqeptrashë, bën pjesë në familjen Alcidae (familja e shpendëve të detit).

“Është lloj bashkëfolezues që folezon në brigjet veriore të Detit Baltik, në brigjet perëndimore të Detit të Bardhë, në brigjet e Detit të Norvegjisë, përreth brigjeve të Ishujve Britanikë, në brigjet veriore të Atlantikut Francez, në Grenlandë si dhe në brigjet lindore të Amerikës veriore”, thuhet në njoftim.

Sipas Shpendët e Shqipërisë lëvizjet e këtij lloji përgjithësisht përqendrohen përreth zonave të folezimit. Megjithatë, ka raste, sikundër ky vrojtim, që individë të caktuar shtegtojnë me mijëra kilometra larg.

Tutje në njoftim theksohet se vrojtime të detarit sqeptrashë në këto pjesë të Mesdheut janë tepër të rralla. Edhe për vendin fqinj të Greqisë, ky lloj u regjistrua për herë të parë po në nëntorin e këtij viti, me një tjetër vrojtim në Peloponez.

“Vrojtimi i ngushticës së Korfuzit mban autorësinë e K. Tsiringaki. Ky vrojtim e çon në 365 numrin e llojeve në listën e shpendëve të Shqipërisë”, bëhet e ditur nga Shpendët e Shqipërisë.

/Motilokal.com