Rikthehen përmbytjet në Shqipëri

Rikthehen përmbytjet në Shqipëri

Intensiteti i lartë i reshjeve të shiut ka rikthyer përmbytjet në disa zona. Në Qarkun e Lezhës, në Njësinë Administrative Zejmen janë të përmbytura rreth 65 hektarë tokë në fushën e Treshit dhe në Spiten. Ndërsa në Njësinë Administrative Balldren janë të përmbytura 200 hektarë tokë. Në Njësitë Administrative Blinisht dhe Dajç nuk raportohet për përmbytje, por ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Në Bashkinë e Mirditës ka ndërprerje energjie në Perlat, ndërsa nuk ka probleme me përmbytjet, edhe pse niveli i ujit në rezervuare është në nivele kritike.

Në Rrugën e Kombit ka rrëshqitje dherash dhe gurësh në të gjithë gjatësinë. Më problematike është zona e Repsit.

Në Bashkinë e Durrësit janë shfaqur probleme në Fushë Krujë, ku ka dalë nga shtrati lumi Ishëm në fshatin Marqinë dhe ka përmbytur disa toka.

Edhe lumi Erzen në Shijak ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të larta të ujit. Por nuk ka problem për banesat, sipas prefektit të qarkut.

Prefekti i Durrësit kërkon nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për një komunikim me administratorët e Liqenit të Bovillës për të pasur shkarkime të kontrolluar.

Përroi i Çullës në Gjirokastër ka dalë nga shtrati duke shkaktuar prurje të shumta të ujit. Për pasojë, inertet kanë bllokuar një pjesë të rrugës në unazën e qytetit duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Një pjesë e asfaltit të rrugës është dëmtuar si pasojë e inerteve. Autoritetet lokale kanë ndërhyrë për të pastruar dhe hapur rrugën.

Në këtë qark nuk raportohet për probleme të tjera përsa i përket segmente rrugore, por në disa zona është shkëputur energjia elektrike për arsye sigurie.

/Motilokal.com