Qeveria e Kosovës miraton Draftin e Strategjisë për Energjinë 2022-2031

Qeveria e Kosovës miraton Draftin e Strategjisë për Energjinë 2022-2031

Qeveria e Kosovës ka miratuar Draftin e Strategjisë për Energjinë 2022-2031. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që kjo strategji t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e mundësive të bizneseve e punësimit të të rinjve.

Postimi i plotë i Kryeministrit Albin Kurti:

Sot, mbajtëm mbledhjen e dytë brenda javës, të 113-tën deri më tani, ku morëm ndër të tjera vendime të rëndësishme në fushën e energjisë, të kinematografisë dhe për rininë.

Miratuam një nga dokumentet më të rëndësishme të këtij viti, Strategjinë e Energjisë 2022-2031. Nëpërmjet saj synojmë të zhvillojmë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri të kostos për qytetarët. Ajo parasheh një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjitë e erës dhe fotovoltaike. Deri në fund të vitit 2031 synojmë që të kemi 1600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Bëmë edhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Energji me qëllim optimizimin dhe afatin e masave të emergjencës dhe krijimin e bazës së qartë për vendosjen dhe mbikëqyrjen e masave të kursimit të energjisë gjatë periudhës emergjente.

Proceduam kërkesën te Presidentja e vendit për t’i dhënë ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve autorizimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”.

/Motilokal.com