Ahmeti: Uji i pijshëm në Prishtinë nuk bën të rrezikohet dhe nuk do të rrezikohet

Ahmeti: Uji i pijshëm në Prishtinë nuk bën të rrezikohet dhe nuk do të rrezikohet

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas lajmeve në media lidhur me fillimin e ndërtimeve te liqeni i Badovcit.

Ahmeti në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor.

“Vendimet për mbrojtjen e Liqenit/Ujit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror - sepse i kanë përgjegjësitë dhe kapacitetet të bëjnë vlerësime të tilla. Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në fillim të vitit 2013”, ka thënë Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka thënë se kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është që disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë.

Ai po ashtu ka theksuar se në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe mbi të gjitha, tanimë Gërmia ka marr statusin e peizazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. Një pjesë e peizazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 kemi lëshuar në funksion Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza për pjesën që përfshin Mramorin dhe disa fshatra rreth tij. Ky Impiant është ndërtuar me mbështetjen financiare të Qeverisë Çeke, dhe ka ndikimin e vet mjafte pozitiv në cilësinë e ujit të Badovcit.

“Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet”, ka theksuar kryetari i Prishtinës./Motilokal.com