Kia ka konfirmuar se ka mbyllur mundësinë e porosive për modelin Stinger, duke i hapur kështu rrugë shitjes së veturës tërësisht elektrike Kia EV6, veturës më të fuqishme që Kia ka prodhuar ndonjëherë, e cila do të jetë pasardhësi i Stinger për sa i përket modeleve flagship të kompanisë.
I fuqizuar nga një motor 3.3 litra twin-turbocharged V6, Stinger ishte vetura me nisjen më të shpejtë nga Kia, duke arritur shpejtësinë 100km/h nga qetësia në 4.9 sekonda.
Stinger ishte gjithashtu një veturë ikonike për Kia. Performanca e lartë, rrotat e pasme aktive dhe pamja sportive shërbyen si një deklaratë e fuqishme për qëllimin e Kia, duke luajtur një rol tepër të rëndësishëm në transformimin e perceptimit rreth kompanisë.

Gati për ta zëvendësuar këtë veturë është modeli i ri më i mirë i kompanisë, Kia EV6 GT, tërësisht elektrik me zero emetime, që pritet të vijë drejt konsumatorëve në Evropë para fundit të këtij viti. Modeli i ri jo vetëm që i merr kurorën Stinger-it si vetura më e shpejtë Kia, që arrin shpejtësinë 100km/h nga qetësia në vetëm 3.5 sekonda, por është gjithashtu vetura më e fuqishme që Kia ka prodhuar ndonjëherë, me dy motorët elektrikë që prodhojnë fuqi prej 430kW.
EV6 GT është i bazuar në platformën Electric Global Modular Platform (E-GMP), e dizajnuar për të “strehuar” fuqinë e konsiderueshme elektrike të veturës. Me një motor të fuqishëm në secilin aks dhe baterinë long-range 77.4kWh të vendosur nën kabinë, EV6 GT ofron hapësirë të madhe në pjesën e brendshme. Me një autonomi prej 424km (WLTP të kombinuar), vetura krenohet gjithashtu me teknologjinë e mbushjes të shpejtë 800V, që mundëson mbushjen nga 10-80% në vetëm 18 minuta.
Jason Jeong, drejtues i Kia Europe tha: “Stinger ishte një veturë transformuese për Kia, e cila ndihmoi në ndryshimin e perceptimit të njerëzve mbi kompaninë tonë. Fokusi i kësaj veture në bashkëveprimin, cilësinë dhe dizajnin e bënë atë një propozim bindës për drejtuesit e shpejtë të veturave. EV6 GT do të shërbejë si një zëvendësues i denjë, me shitjet që do të nisin më vonë gjatë këtij viti. Kombinimi i performancës së lartë me një dizajn të mrekullueshëm dhe autonomi për distance të mëdha, EV6 GT është me të vërtetë flagship-i i ri i kompanisë tonë gjatë tranzicionit tonë drejt një prodhuesi lider të lëvizshmërisë më të qëndrueshme.”
Kia do të plotësojë të gjitha porositë ekzistuese për Stinger, dhe do të ofrojë kujdes të plotë për të gjithë pronarët e modeleve Stinger. Tashmë porositë për EV6 GT kanë nisur përmes rrjetit të përfaqësuesve të Kia në Evropë dhe porositë e para do të nisin të dorëzohen para fundit të vitit 2022.
/Motilokal.com
