Më shumë se 200 milionë njerëz janë këshilluar dhe paralajmëruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga e premtja për stuhinë e borës, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA (NWS).
Shtetet e Bashkuara janë përballur me një stuhi të fortë dimri që ka çuar në anulimin e mijëra fluturimeve gjatë sezonit të festave.
Në një aksident janë përfshirë rreth 50 vetura në një autostradë në Ohio, ku kanë humbur jetën të paktën dy shoferë, dhe shumë të tjerë të lënduar, duke mbyllur të dy korsitë e autostradës, thanë zyrtarët e policisë së shtetit.
Motoristët e bllokuar në Turnpike të Ohajos u evakuuan me autobus për t'i mbajtur ata nga ngrirja në veturat e tyre në temperatura nën zero, sipas Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Toledos. Përplasjet kanë ndodhur në afërsi të qytetit të Toledos.
Në Kentakin fqinj, të paktën tre persona, dy në aksidente me veturë dhe një i pastrehë kanë vdekur për shkak të motit të ashpër.
“Ju lutemi qëndroni në shtëpi dhe qëndroni të sigurt”, shkroi në Twitter guvernatori i Kentakit, Andy Beshear. Ai shtoi se mijëra shtëpi ishin gjithashtu pa energji.
Çfarë thanë sinoptikanët për stuhinë?
Harta e NWS "përshkruan një nga shkallët më të mëdha të paralajmërimeve dhe këshillave të motit dimëror ndonjëherë", thanë parashikuesit.

Meteorologët thanë se ishte aq ftohtë në disa zona saqë kushdo që dilte jashtë mund të rrezikonte ngrirjen brenda disa minutave.
"Kur është kaq ftohtë, kushdo mund të hasë në telashe", tha parashikuesi i NWS Rich Maliawco për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse (AFP).

“Me këto lloj dridhjesh të erës, nëse nuk i keni veshur ato shtresa të ngrohta... lëkura e pambrojtur mund të marrë ngrirje në më pak se pesë minuta”, tha ai.
Ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe udhëtimeve
Rreth 1.4 milionë njerëz, kryesisht në jug dhe lindje të vendit, kanë mbetur pa energji elektrike që nga mëngjesi i së premtes, sipas poweroutage.us.
Qindra njerëz në Xhorxhia, përfshirë kryeqytetin Atlanta, ishin pa energji të premten dhe përballeshin me mundësinë e të dridhurave të erës nën zero pa nxehtësi.
Dy viktima trafiku u raportuan në Oklahoma të enjten, ndërsa në Kansas tre persona vdiqën në aksidente rrugore, sipas patrullës së autostradës së shtetit.
Më shumë se 3,250 fluturime u anuluan të premten dhe 1,900 të tjerë u vonuan, sipas faqes së internetit të gjurmimit Flight Aware.
Sekretari i Transportit Pete Buttigieg paralajmëroi se udhëtimet për pushime po prekeshin rëndë nga stuhia. "Të thuash se kemi të kundërtën e motit bashkëpunues do të ishte një nënvlerësim", i tha ai transmetuesit MSNBC, duke shtuar se 10% e fluturimeve komerciale në SHBA ishin anuluar të enjten.
/Motilokal.com
